Përmbytje në veri të Italisë, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

- Bota Sot

Përmbytje në veri të Italisë, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Italia shpalli gjendjen e emergjencës për dy rajone të përmbytura në veri të vendit pas disa ditësh reshje të dendura shiu.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka ofruar ndihmë në vlerë 20 milionë euro për rajonet e prekura Emilia-Romagna dhe Marche.

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje në shumë rrugë në të dy rajonet. Në total, më shumë se 2 mijë e 500 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre.

Disa qytete, duke përfshirë Bolonja, Modena dhe Ravena, u prekën nga përmbytjet, si dhe vendpushimi i Rimini në bregdetin e Adriatikut.

Ndërkohë ka pasur një debat të ashpër mes Romës dhe qeverive rajonale të zonave të përmbytura.

Nello Musumeci, ministri i Mbrojtjes civile të krahut të djathtë, akuzoi qeverinë socialdemokrate të Emilia-Romagna se nuk i përdor siç duhet paratë e alokuara tashmë.

"Diçka nuk është në rregull. Përmbytje të tilla katastrofike nuk mund të vazhdojnë të ndodhin në Emilia-Romagna," tha ai.

Ndryshe, një stuhi e vitit të kaluar kishte marrë jetën e 17 personave, ndërsa dëmet materiale arritën në miliarda euro.

Nga ana tjetër, socialdemokratët hodhën poshtë akuzat e ministrit si një mashtrim parazgjedhor përpara zgjedhjeve të nëntorit në Emilia-Romagna, një nga rajonet më të pasura të Italisë dhe tradicionalisht me prirje të majtë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot