“Sapo na njoftuan për vdekjen e Enver Hoxhës, bashkë me kolegun u mbyllëm në zyrën tonë në Komitetin Qendror”

- Bota Sot

“Sapo na njoftuan për vdekjen e Enver Hoxhës, bashkë me kolegun u mbyllëm në zyrën tonë në Komitetin Qendror”

Ditën e festës së 29 nëntorit të 1984-ës, ne që u ndodhëm pranë tribunës kryesore, fare pranë, e pamë dhe e kuptuam që Enver Hoxha, i kishte ditët e numëruara. Asnjeri nga ne, shokët e Drejtorisë së Jashtme të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, nuk guxoi që ketë mendim ogurzi, ta përmendte në sy të tjerëve, bile as me shokun e zyrës.

Ne në aparat shikonim, dëgjonim e kuptonim, disa sinjale për shëndetin e shokut Enver, por asnjeri nuk komentonte. Disa nga frika, apo kujdesi për të ruajtur veten nga gjërat me zarar, disa nga dëshpërimi për hatanë e madhe që po e priste Partinë dhe shtetin tonë, të tjerë nga zakoni, për t’u marrë me punën e tyre. Me kohë, edhe atëherë kur kuptonim ndonjë sinjal të qartë, bije fjala kur vinim re ditë e javë të tëra, që Nexhmije Hoxha, nuk dilte në zyrë, ne u mësuam me zakonin, për të mos menduar se Enver Hoxha, ishte i sëmurë.

Madje, edhe të martën e 9 prillit të vitit 1985, kur ai ra në koma dhe vumë re lëvizje të shpeshta të auto veturave të udhëheqjes së Partisë, ne, disa nga shokët e Drejtorisë së Jashtme, shkuam të pinim nga një gotë, tek bufeja e Liqenit Artificial. Këto takime të këndshme herëpashershëm dhe prej disa kohësh, na i organizonte shoku më i vjetër i Drejtorisë, që ne e thërrisnim “Baba”. Një ditë më parë, ai kishte porositur një fërgesë në tavë balte. Ne bënim qejfin tonë, pa na vajtur mendja fare për keq. Të nesërmen kur shkuam në punë, “Baba” na thirri si zakonisht në zyrën e tij, për të na njoftuar shoqërisht, për sëmundjen e shokut Enver.

Ne të gjithë me siguri, mendonim të njëjtën gjë, duke parë njeri-tjetrin me sy: asnjeri nga ne nuk e kishte përmendur gjëkundi, punën e tavës me fërgesë tiranase…! Tani nuk e mbaj mend mirë, se kur dhe kush na njoftoi në Aparat, për gjendjen e rëndë të Enver Hoxhës. Veçse dy ditë më vonë (dy ditë agonie), duke u gdhirë e enjte, kur na thirrën me natë, që të paraqiteshim në zyrë, ne e kuptuam që Ai, kishte mbaruar! Ne u mblodhëm në zyrën e “Babës” për të dëgjuar radion, që do të jepte lajmin e kobshëm.

Aty ndodheshin vetëm një e treta e shokëve të Drejtorisë së Jashtme, të tjerët ndodheshin me shërbime nëpër rrethe të vendit, ose jashtë shtetit. Ata tashmë ishin lajmëruar, që të ktheheshin urgjentisht në Tiranë! Nëpër korridoret e Aparatit, mbretëronte një heshtje e thellë varri. Njerëzit kalonin kokë ulur dhe nuk guxonin të shikonin me sy shokun. Shumica e punonjësve, ishin mbyllur në zyrat e tyre.

Pasi dëgjuam lajmin e hidhur në radio, secili shkoi në zyrën e vet. Shoku i zyrës, D.D., ose “Gjethi”, siç e thërriste “Baba”, erdhi pas nja dhjetë minutash. Me gjeti duke pirë cigare, pa ndonjë dosje të hapur përpara, domethënë jo ashtu siç ishte zakoni. “Gjethi”, u ul para tavolinës së tij, përballë meje. U pamë një copë here në sy për sy, pa folur. Së fundi, unë u ngrita, i hodha një çelës derës dhe i bëra shenjë nga dollapi, që të nxirrte shishen e rakisë dhe pas pak i thashë: “Bjere, të shkretën, se helmi, helm kërkon”.

Shoku i zyrës, vuri lehtë buzën në gaz dhe pak më vonë, kur kthehu gotën me tha: “I madh je, xhan i Qakos”! Kuptova në këtë çast se “Gjethi”, tani po më njihte tamam, ose tani po sigurohej se unë, isha njeri i besës! Në fakt, edhe atij, edhe mua, na duhej një atmosferë e tillë, ku të ndjenim veten të lëshuar (kur zgjidh kollaren), ose të lehtësuar nga pesha e brengës së madhe, që impononte momenti. Edhe ai, edhe unë, shpresonim se; tani me Ramiz Alinë, do të fillonte një ere e re, një hapje e re për vendin dhe për njerëzit…!

Shpresonim! Dhe një shpresë e tillë, që ishte e përgjithshme ose e pjesshme, disa i afronte më shumë me njeri-tjetrin, ndërsa disa i largonte nga shokët e vjetër, që nuk mendonin si ata. Kjo gjë ndjehej jo dhe aq qartë, në ato dite zije kombëtare…! Tek shihja shumë njerëz që qanin, unë bëja hesap me mendjen time, sesa mund të ishin nga ata mijëra e mijëra njerëz, që derdhin lot nga dëshpërimi, për humbjen e udhëheqësit të Madh dhe sa kishte të tjerë, qe derdhnin lot se po ndaheshin me një epokë…?!

Muri i vetizolimit

Më 25 maj të vitit 1985, më njoftuan zyrtarisht, transferimin në Paris. Në ambasadë, do të zëvendësoja në detyrën e këshilltarit politik, Kujtim Hysenaj, i cili pas ndonjë viti, do të emërohej ambasador në Beograd. Kujtimin e njihja prej kohësh. Puna me delegacionet e huaja, na kishte afruar. Për Kujtimin, ruaja një respekt të veçantë. Ai kishte mbetur modest me shokët, megjithëse ishte martuar me një vajzë nga një familje e hierarkisë së lartë të Partisë dhe të Shtetit. Fakti që unë po zëvendësoja në post Kujtimin, ishte një tjetër vlerësim i Partisë për mua, që nuk kisha asnjë mbështetje.

Disa ditë pasi kisha filluar përgatitjet në Ministrinë e Jashtme, më priti në zyrë, vetë Ministri, Reis Malile. Takimi ishte i ngrohtë, jo vetëm nga fakti se unë vija nga Aparati Qendror i Partisë. E dija se Reisi, kishte një lloj simpatie apo konsiderate për mua, por edhe unë gjithnjë e kisha respektuar. Ministri më tha se kishte dhenë udhëzime, që për mua të bëhej një program i përshpejtuar përgatitjesh në Ministri, sepse unë “isha shok me përvojë, qe e njihja Francën dhe botën e jashtme”.

Dosjet e Francës i studiova me vëmendje. Atyre u kushtova kohën më të madhe. Çështjet e tjera i lashë për ne fund. Në dosjet e Francës, kishte shumë raporte dhe analiza. Vura re një frymë negative, në shumicën e konkluzioneve. Unë isha i prirë, që të kërkoja anët pozitive. Kudo theksohej, një farë indiferentizmi i qeverisë franceze, ndaj Shqipërisë. Marrëdhëniet dypalëshe, dukeshin pothuajse të ngrira. Këto ishin keqësuar nga incidenti i fundit në ujërat tona detare jugore, me francezin e vrarë, që ishte anëtar i klubit “Mediterane”.

Por, ato u përkeqësuan më shumë, me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës. Masmedia franceze, kishin shkruar e folur shumë keq për Enver Hoxhën, e kishin quajtur atë; “Sulltan i kuq”, “Stalinisti i fundit”, “kriminel”, etj. Ne këtë fushatë, kishin ngatërruar dhe presidentin e shoqatës së Miqësisë, Profesor Pol Miljezin, që ishte mjek i Enverit. Profesor Miljezi, një personalitet i njohur, kishte rënë viktimë e një keqkuptimi dhe u desh shumë kohë, që kjo çështje të sqarohej.

Megjithatë, në dosjen e fundit të Francës, pashë një shkëndije shprese, për një ri ngrohje të marrëdhënieve dypalëshe. Kishin filluar bisedimet për një delegacion francez të Ministrisë së Jashtme, që duhej të vizitonte së shpejti Shqipërinë. Pala jonë ngulte këmbë, që delegacioni të ishte i nivelit të lartë. Deri atëhere, asnjë ministër i Jashtëm francez, nuk kishte ardhur në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore. Shijen e athet, që më la leximi i dokumenteve për marrëdhëniet me Francën, ma zbutën pak takimet, që pata me funksionarë të lartë nga dikastere të ndryshme, para se te nisesha. Përshtypje të mirë, me la takimi me Hekuran Isain, në atë kohë Ministër i Brendshëm.

Ndër të tjera, ai më tha, se; Byroja Politike dhe shoku Ramiz, i kushtonin kujdes të veçante Francës, sepse nga të katër aleatët e kohës së Luftës së Dytë Botërore, vetëm Franca si Fuqi e Madhe, ngelej vendi, me të cilin mbanim lidhje. Si çështje e dytë, tha ai, në Francë, mjekohej udhëheqja jonë. Dhe së treti, Parisi ishte kryeqyteti, ku kryqëzoheshin shumë interesa të Lindjes dhe Perëndimit. Të njëjta fjalë, më kishin thënë në Komitetin Qendror të Partisë dhe në Ministrinë e Jashtme…! Në të njëjtën kohë, Franca ishte vendi i huaj, ku ne kishim numrin më të madh të studentëve dhe pasuniversitareve shqiptarë, jashtë shtetit.

Familjet “Popa” dhe “Papavrami”!

Nga takimet e para, që bëra me diplomatë homologë, vura re se ata të vendeve fqinje dhe sidomos italiani, tregonin interes të veçantë për Shqipërinë dhe kjo ishte e lidhur me shpresat për një hapje të mundshme të vendit tonë, tani pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ky konstatim, me inkurajoi shumë në detyrën time si këshilltar politik.

Në mënyrë të veçante, vendosa marrëdhënie të afërta me homologun italian. Puna arriti (jo për meritën time, kujdes!) sa brenda tre muajve, pasi kisha arritur në Paris, dy ambasadorët me këshilltarët e Shqipërisë dhe Italisë, kaluan reciprokisht nëpër ambasadat e tyre dreka, bashkë me gratë, në një atmosferë tepër të ngrohtë dhe me të vërtetë në mënyre vëllazërore…!

Por, “festa” jonë, nuk vazhdoi gjatë…! Në dhjetor të 1985-ës ndodhi historia e Popajve, që u ngujuan në ambasadën italiane në Tiranë. Mua më erdhi keq për ketë ngjarje, se ajo prishi punë në veprimtarinë diplomatike të ambasadës sonë. Me homologet italianë, u ftohën fare marrëdhëniet dhe këtë e bëmë me udhëzime nga Tirana. Në dorën, që kishte shkruar disa nga këto udhëzime, m’u duk sikur vura re, një dridhje të lehtë kënaqësie, për atë që ndodhi me ambasadën italianë në Tiranë.

Për herë të parë, mbase dhe jo aq qartë, e kuptova se; “muri i vetizolimit” tonë, ishte tepër i fortë. Në këtë konkluzion, kërkoja të gjeja si justifikim; “qëndrimet burokratike dhe për të qenë ‘brenda vijës’” nga ana e shefave, të mëdhenj e të vegjël, që drejtonin diplomacinë tonë. Nuk besoja, në atë kohe se, vetë presidenti Ramiz Alia, të ishte plotësisht i një mendje me ata burokratë dhe prisja që çështjes Popaj, t’i jepte një zgjidhje te shpejte. Për fat të keq, nuk ndodhi ashtu siç shpresova unë!

Sikur të mos mjaftonte çështja Popaj në Tiranë, në Paris na plasi “çështja Papavrami”, pak javë më vonë. Ishte një ditë e zakonshme, kur aty nga ora nëntë e mëngjesit, më mori në telefon ambasadori dhe me një zë pak të shqetësuar, më tha që të zbrisja menjëherë poshtë në zyrën e tij. Mendja më vajti tek ndonjë kritikë nga Tirana, për punën tonë me gazetarët. Në zyrë e gjeta në këmbë Maxhunin (ambasadorin) dhe sekretarin e parë të ambasadës (Eqerem Gaxhollin). Ata dukeshin të tronditur.

Maxhuni më dha të lexoja letrën e Papavramëve, me të cilën shpjegonin arsyen, përse kishin vendosur të qëndronin në Francë. Gjithë “sakrifica” e tyre, justifikohej me dëshirën që t’i krijonin kushte optimale, djalit të tyre të talentuar, Tedit, me një fjalë, mundësisë për të bërë karrierë. Pasi lexova letrën, unë desha t’i qetësoja shokët e mi, duke u thënë se; “ishin gjëra që ndodhnin dhe se tani, duhet të mendojmë, si ta kapërcejmë situatën e krijuar”! Ngula këmbë, duke parë nga Eqeremi, që të ruheshim nga “trimat”, që dalin nga situata të këtilla, sidomos nga sektori i tij.

Me “çështjen” Papavrami, m’u desh dhe mua që të merresha ca kohë. Bashkë me ambasadorin, shkuam në takim me të ëmën dhe Tedin çunak, në Ministrinë e Jashtme. Takimi u bë në prani të avokatëve të familjes Papavrami. Ca kohë më vonë, me porosi nga Qendra, ndërmora një udhëtim me Ylli Qamiranin, në drejtim të jug-perëndimit të Francës, ku shkova afër Bordosë, në një fshat ku ishte vendosur familja Papavrami.

Por autoritetet lokale, nuk më lejuan të takohesha me ta, bashkëqytetarët e mi, sigurisht më urdhër nga Parisi. Për këtë çështje, nga Ministria jonë e Jashtme, erdhi një telegram i rreptë dhe që ngarkonte me përgjegjësi ambasadorin tonë, për mungesë vigjilencë, sidomos që nuk kishim njoftuar me kohë, ardhjen e befasishme në Paris, të babait të Tedi Papavramit.

Vura re se Maxhuni (ambasadori), po hezitonte për t’i kthyer një përgjigje Ministrisë. Unë ngula këmbë, që ai t’i përgjigjej menjëherë Ministrisë, se Tirana nuk na kishte pyetur fare, kur i kishte dhënë vizën babait të Tedit dhe se ne e morëm vesh, që ai kishte ardhur në Paris, pothuajse “inkonjito” – siç na tha vetë, gjoja për t’i bërë surprizë të shoqes, atëhere kur erdhi vetë në ambasadë.

Më vonë, ne e sqaruam me vete ministrin Reiz Malile, këtë çështje dhe ishte ky që na tha, se edhe vetë Ministria e Jashtme, nuk dinte gjë për vizën e babait të Tedit. Vizën atij, ia kishte nxjerrë Ministria e Brendshme. Pak më vonë, gjithashtu morëm vesh, se kjo çështje ishte diskutuar ‘Lart’ në udhëheqje të Partisë, dhe se punët ishin të ngatërruara, por së fundi, çështja e vizës së babait të Tedit, u la në heshtje.

Kjo histori me familjen Papavrami, që u strehuan në Francë si refugjatë politikë, na dukej si një sfidë e palës franceze, një lloj presioni, për të nxitur hapjen e dëshiruar të Perëndimit, për Shqipërinë. Ishte një konkluzion jo tepër i saktë dhe jo aq i qartë. Çështja “Popaj” dhe ajo “Papavrami”, a kishin lidhje me njëra-tjetrën…?!

Me mentalitetin e “vigjilencës revolucionare”, mund të gjejë një lidhje logjike, midis dy çështjeve. Kush mund ta dinte?! Megjithatë, unë nuk e vrava mendjen dhe aq shumë, për të hyrë në analiza, që më parë kërkonin disa elementë njohjeje nga fusha e zbulimeve sekrete, të cilën nuk e njihja. Sidoqoftë, unë dalloja një ndryshim thelbësor, midis të dy çështjeve. Çështja e parë, kishte vënë në provë, forcën dhe vendosmërinë e principeve të “Murit të vetë izolimit”.

Ndërsa tek çështja e dytë, e Papavramëve, për shkak të implikimeve të familjeve të mëdha në Tiranë, më dukej se në këtë mes, kishte njëfarë bashkëpunimi të heshtur, midis palës shqiptare dhe franceze. Nuk arrija të kuptoja se; cili ishte pozicioni i vërtetë i Ramiz Alisë, në këto çështje…?!

Hezitimi për intervista

Dëshira për të marrë intervista nga Presidenti i Republikës, apo nga udhëheqës të lartë të Partisë dhe të shtetit tonë, ishte një kërkese e vazhdueshme, e analistëve dhe e gazetarëve të huaj. Por, gjithnjë për këtë kërkesë, ne merrnim të njëjtën përgjigje të thatë nga Tirana, se intervista nuk ishte në praktikën e Presidentit, të kryeministrit, etj. Këmbëngulje të fortë, bëri për këtë çështje, Ian Maksueli, djali i manjatit të madh të shtypit anglez, që ishte futur dhe në masmediat franceze.

Iani, bashkë me dy gazetarë të njohur francezë, erdhi dy herë në ambasadë, propozoi dhe temën e bisedës për intervistën me Ramiz Alinë, premtoi se këtë intervistë, do ta botonte në revistën e tij të madhe, “International”, e njohur në të gjithë botën, në të njëjtën kohë, me intervistën e ndonjë personaliteti perëndimor, si; Kisingeri, apo të Lindjes.

Në ketë revistë politike me reputacion botëror (këtë gjë e përsëriste vazhdimisht, si dukej për të na bindur neve), Ian Maksueli, kishte botuar intervista, me pjesën më të madhe të presidentëve të shteteve më të mëdha të Evropës, Amerikës dhe nga kontinente të tjera. Të gjitha këto të dhëna, ia bëmë të njohur ‘Qendrës’. Për të dytën herë, na erdhi përgjigje negative. Ian Maksueli, nuk pati fat…!

Për çështjen e një interviste me Presidentin tonë, këmbëngulës u tregua gjithashtu, edhe redaktori i revistës së njohur franceze të ilustruar, “Figaro Magazin”, Robert Lakontre. Këtë ma prezantoi një mik i vjetër, fotoreporteri francez, Mishel Setbun, që përgatiste fotografi-tematike, për disa revista të ilustruara të mëdha amerikane dhe evropiane. Ai kishte qenë në Shqipëri dhe kishte botuar një reportazh të gjerë fotografik, shoqëruar me tekst të shkruar dhe të botuar në një revistë të madhe në gjuhën gjermane.

Lakontre, kur e pa që me Presidentin ishte e pamundur një intervistë, nguli këmbë për ta bërë këtë gjë, me personalitete të tjera shqiptare, por deri në rangun e Ministrit. Së fundi shkoi në Shqipëri, bëri një turne të plotë në shumë zona të thella të veriut dhe të jugut, bashkë me Setbunin. Ndërkaq Lakontre, kishte marrë një rekomandim nga unë, që t’i kërkonte intervistë këshilltarit të presidentit, gjë për të cilën, e kisha njoftuar Tiranën.

Këshilltari e priti, zhvilloi me të një bisedë e thjeshtë, por nuk pranoi ta quante intervistë…! Megjithatë, Lakontre dhe Setbuni, u kthyen disi të kënaqur nga udhëtimi i tyre në Shqipëri, të cilën e pasqyruan në një reportazh të gjerë fotografik, shoqëruar me një artikull të botuar në revistën, “Figaro Magazin”. Memorie.al/ 

(*Ish-diplomat në Paris, nga viti 1985-1991)



Lexoni të gjitha në Bota Sot