Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dal me një njoftim lidhur me llogon, e cila doli të jetë e kopjuar nga një kompani planifikuese ekspozitash në Riad të Arabisë Saudite.
“Pas njoftimit që kemi pranuar se ka pasur reagime nga persona të fushës së dizajnit apo mediatike, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 23.09.2024 e ka trajtuar çështjen e logos së Kuvendit dhe ka konstatuar se e njëjta nuk duhet të këtë ngjashmëri me ndonjë logo tjetër, pavarësisht se logoja e përzgjedhur nga Juria profesionale nuk ka qenë identike me logon më të cilën është krahasuar.
Ndërsa, pas një takimi ndërmjet përfaqësuesve të Kuvendit dhe operatorit ekonomik fitues, është konstatuar se logoja e përzgjedhur ka ngjashmëri me logon e krahasuar, pavarësisht se nuk janë identike. Të dy palët u pajtuan që Kuvendi i Kosovës duhet të këtë logo e cila nuk ka ngjashmëri me asnjë logo tjetër”.
Tutje thuhet se operatori ekonomik u pajtua që t’ia kthejë paratë Kuvendit.
“OE zyrtarisht u pajtua që të kthejë mjetet financiare të pranuara nga Kuvendi, si dhe ka kërkuar që të kthejë në pronësi të saj të drejtën e autorit të logos së propozuar”./INS
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës me 20 shtator ka miratuar logon e Kuvendit bazuar në përzgjedhjen e jurisë profesionale.
Duke shpjeguar konceptin e kësaj logoje, Kuvendi tha: Simboli i shtëpisë në logon e Kuvendit simbolizon ndërtesën kryesore të shtetit, Kuvendin, si institucioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i Republikës së Kosovës. Pjesa e poshtme e logos simbolizon rreshtat e ulëseve të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa vija e mesme në pjesën e sipërme të simbolit paraqet ulësen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Vijat anash, po ashtu në pjesën e sipërme, simbolizojnë ulëset e anëtarëve të qeverisë. Me bashkimin e të gjitha pjesëve, simboli pasqyron në mes hartën e Republikës së Kosovës, që, së bashku me yjet, simbolizon flamurin e Kosovës.
Por kjo logo del të jetë thuajse e njëjtë me një logo të një kompanie planifikuese ekspozitash në Riad të Arabisë Saudite.
Këtë e nxori në pah një dizajner i komunikimit, Agi Haxhimurati, i cili ironizoi mbi autenticitetin e kësaj logoje.
“Po cuditen arabet sa “autentike” logo e re e Kuvendit te Kosoves! Kosova dhe storiet qe perseriten!”, shkroi ai.
Sipas Rregullores së Kuvendit, logoja vendoset në hapësirat e Kuvendit, në zyrat e deputetëve, në dokumente e akte të brendshme, në komunikimet e deputetit me palët e treta, në botime e publikime ose në aktivitete, të cilat organizohen nga Kuvendi.