Një objekt i komunës paralele në veri i kalon Ministrisë së Punëve të Brendshme – reagon Serbia

- Bota Sot

Një objekt i komunës paralele në veri i kalon Ministrisë së Punëve të Brendshme – reagon Serbia

Një objekt i institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë në Mitrovicë të Veriut – ku të vendosur ishin distrikti Kosovë-Mitrovicë dhe disa shërbime të tjera përfshirë edhe të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën – i ka kaluar zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Sipas mediumit serb me seli në Kosovë, Kossev, vendimi është marrë të enjten nga Komuna e Mitrovicës së Veriut në një seancë të jashtëzakonshme me 12 vota për dhe një kundër.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin ka konfirmuar për mediumin se vetëm Dusan Milunoviç ishte kundër.

“Seancën e caktuam për sot, ato dy pika që nuk kaluan – miratimi i buxhetit për vitin 2025 dhe dhënia e pronës komunale për MPB-në, gjegjësisht parcelat që ishin specifikuar në kërkesën e Ministrisë të Brendshme”, thënë ai për Kossev.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar i ashtuquajturi drejtori për Zyrën e Kosovës, Petar Petkoviç, duke pretenduar se ky veprim është “vazhdim i okupimit policor të Veriut të Kosovës”.

Ai ka pretenduar se këto zyre janë konfiskuar “në mënyrë ilegale”.

Siç thekson ai, kjo ndërtesë në Mëhallën e Boshnjaçkës “është sekuestruar ilegalisht dhe me tuba të gjatë nga serbët më 30 gusht”.

“Këtë vendim të kundërligjshëm e kanë marrë këshilltarët e paligjshëm të Kurtit në komunë, për të cilën asnjë Serbi nuk ka votuar”, ka thënë ai.

Petkoviç ndër të tjera ka potencuar se “i gjithë ky proces po zhvillohet para syve të bashkësisë ndërkombëtare”.

“Ajo e vëzhgon në heshtje militarizimin e Veriut të Kosovës nga policia e Kurtit, e cila në Veri të Kosovës zbaton terror”, ka pretenduar më tej ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot