Këta janë të dyshuarit për shpëlarje parash, tre u kapën në aksionin e sotëm

- Gazeta e Prizrenit

Këta janë të dyshuarit për shpëlarje parash, tre u kapën në aksionin e sotëm

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës kanë zhvilluar një aksion, ku janë bastisur pesë lokacione të ndryshme, katër lokacione në rajonin e Prishtinës dhe një në rajonin e Gjilanit.

Si rrjedhojë e kësaj, Policia bëri të ditur se nga ky aksion janë arrestuar tre persona dhe një tjetër ndodhet në arrati, nën dyshimet rreth shpëlarjes së parave dhe veprave të tjera penale.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të dyshuara si të falsifikuara, armë zjarri, municion, automjete luksoze, dhe pajisje teknologjike, përfshirë telefona dhe një laptop.

Gazeta Sinjali ka mësuar emrat e tre të arrestuarve tashmë nga Policia, të cilët janë: Viladan CakolliShefqet Cakolli dhe Adnan Krasniqi. Ndërkohë i arratisuri, Sinjali mëson se është Edvan Cakolli.

“Arrestohen tre persona për ‘shpëlarje të parasë’ dhe vepra tjera penale, sekuestrohen dëshmi relevante, jepet urdhër ndalues për banesa, lokale, si dhe bllokohen xhirollogari bankare”, u tha në njoftim nga komunikata e Policisë.

Gjithashtu, nga ky aksion janë vendosur masa ndaluese për pasuri të shumta, përfshirë banesa, garazhe, parcela tokësore dhe llogari bankare me një total prej 179,560.25 euro të ngrira.

Të dyshuarit janë intervistuar nën praninë e avokatëve mbrojtës dhe ndaj tyre është vendosur masa e ndalimit prej 48 orësh nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Operacioni është kryer nën mbikëqyrjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Njoftimi i plotë: 

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT PËR MEDIA NGA PROKURORIA SPECIALE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE POLICIA E KOSOVËS

Arrestohen tre persona për “shpëlarje të parasë” dhe vepra tjera penale, sekuestrohen dëshmi relevante, jepet urdhër ndalues për banesa, lokale, si dhe bllokohen xhirollogari bankare

Prishtinë, më 26 shtator 2024

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, konkretisht hetues policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, me datën 26.09.2024 kanë zbatuar urdhër kontrollin e urdhëruar nga Gjykata Themelore Prishtinë-Departamenti Special, ku janë bastisur pesë lokacione të ndryshme, katër lokacione në rajonin e Prishtinës dhe një në rajonin e Gjilanit.

Bastisja është kryer me qëllim të gjetjes së dëshmive materiale dhe arrestimit të të dyshuarve të cilët dyshohet që në periudhën kohore 2020/2024 kanë kryer veprat penale ‘mashtrim’, ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë, me të cilat veprime të dyshuarit dyshohet të kenë përfituar mjete materiale në vlera të mëdha të cilat më pas, me qëllim të futjes në sistemin financiar të RKS-së kanë kryer veprime të shumta me të cilat dyshohet të kenë konsumuar veprën penale ‘shpëlarja e parasë’.

Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë arrestuar tre të dyshuar, ndërsa një i dyshuar tjetër nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:

• tre folderë/dosje me dokumentacion të ndryshëm si kontrata, autorizime, certifikata të pronave të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara

• një revole e tipit VIZOR 50 cal 7.65, një karikator me 7 fishekë, dy karikatorë të zbrazur të armës AK-47, 58 copë municion të kalibrave të ndryshëm, 09/copë municion 12/A të armës së gjuetisë

• një veturë BMW ngjyrë e zezë me targa vendore, viti prodhimit 2022, pronë e të dyshuarit (V.C.)

• një veturë Volkswagen-VW Tiguan ngjyrë zezë me targa vendore, viti i prodhimit 2017 pronë e të dyshuarit (V.C.)

• një telefon HUAWEI

• tre telefon IPHONE

• një laptop.

Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale është lëshuar urdhër ndalues i përkohshëm për:

• 39 – banesa të ndryshme, shprehur në (m2) 3,929.52 m2

• 30 – garazhe

• dy lokale afariste

• 17- parcela tokësore të lokalizuar në lokacione të ndryshme të shprehura në (m2) 29,903.00m2

• janë bllokuar 5 – xhirollogari të personave të dyshuar ku janë ngrirë 179,560.25 €.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës nga PSRK iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Të gjitha veprimet hetimore janë kryer nën mbikëqyrje dhe koordinim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të RKS-së.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit