Agresion diplomatik ndaj Kosovës përmes gruas së Vuçiqit: A pati Beogradi ‘sukses’ në Kenia në parandalim të njohjes?

- Bota Sot

Agresion diplomatik ndaj Kosovës përmes gruas së Vuçiqit: A pati Beogradi ‘sukses’ në Kenia në parandalim të njohjes?

“Nuk besoj që një vizitë e tillë mund ta formësojë vendimarrjen për Kosovën, por është fakt i pamohueshëm që Kenia ka qenë e hapur për ta shqyrtuar njohjen e Kosovës”.

Ky është vështrimi i ish-kryediplomatit kosovar, Enver Hoxhaj, në lidhje me vizitën ofansive-diplomatike të Zonjës së Parë të Serbisë, Tamara Vuçiq, në Kenia, vizitë kjo e cila u shpërnda me të madhe në mediat serbe si “parandalim i njohjes së Kosovës” dhe “heqje e njohjes nga tryeza” e frazuar në ngjyrat më propagandistike.

Bashkëshortja e Aleksandar Vuçiqit u prit nga Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kenisë – ndërsa ajo ua rikujtoi se Jugosllavia kishte qenë ndër të parët që kishte njohur Pavarësinë e Kenisë më 1963.

Mediat serbe iu referuan “një letreje konfidenciale në mars 2023” që Presidenti i Kenisë, William Samoei Ruto, i kishte përcjellur ish-Ministrit të Jashtëm, Behxhet Pacolli, se njohja e Kosovës ishte gjë që pritej të materializohej; dhe vizita e Tamara Vuçiqit ishte “për ta parandaluar njohjen”.

Petrit Selimi, ish-Ministër i Jashtëm, po ashtu e quan “përpjekje të kotë të Serbisë dhe një lloj agresioni diplomatik” në një përgjigje me shkrim.

Hoxhaj referuar mundësisë reale që Kenia ka për ta njohur Kosovën gishtin e fajit e drejton kah qeveria kosovare që “ka humbur momentumin” për ta materializuar atë ndërsa thotë se ky afinitet i këtij shteti afrikan vjen “falë marrëdhënie të mira të zotit Behxhet Pacolli me Presidentin e Kenias”.

“Shpesh vendimet për njohje kanë të bëjnë me atë kur një vend ka një ndryshim politike sikurse në Kenia, ardhja e një presidenti pro-pavarësisë së Kosovës, të cilin edhe unë e kam disa herë personalisht, sesa mund edhe të finalizohet shpejte në vendimmarrje. Duket se askush në qeveri nuk e kupton se në politikë çdo ditë është e re dhe ngjarjet i tejkalojnë ngjarjet, duke u humbur shanse të arta”, tha Enver Hoxhaj.

Për Petrit Selimin ky zhvillim nuj është i mirë, por megjithatë “nuk e ndryshon faktin që Kosova është vend i njohur botërisht”.

“Fatkeqësisht pak jemi marrë diplomatikisht me shtetet afrikane dhe aziatike. Përpos ish-Presidentit Pacolli që ka lidhje të fuqishme dhe investime në Keni, prezenca jonë është minimale. Besoj se duhet riformatizim i plotë diplomatik dhe fokus në organizata multilaterale si Këshilli i Evropës dhe shtetet që kanë potencial për njohje”, tha Selimi,

Për Enver Hoxhajn, politika e jashtme kosovare nuk ka kapitalizuar mbi mundësitë e materializimit të ndonjë njohje të re në këto vende ku ka pasur ndryshime në politikat e brendshme: përkatësisht, në ardhjen në pushtet atje të forcave perëndimore.

“Kosova ka mundur të merr disa njohje të reja në disa vende ku ka ndodhur ndryshim politik i brendshëm dhe ku kanë ardhur në pushtet forca pro-perëndimore, por nuk e ka pasur askënd që as ti lexojë drejtë dhe as të veprojë politikisht shpejt”, tha ai.

“E shoh të rrezikshme sjelljen e politikës së jashtme serbe në Afrikë në premisat e një Neo-Titizimi, duke goditur dhe izoluar tërësisht Kosovën në këtë kontinent”, përfundoi Hoxhaj.

Tamara Vuçiq, në një konferncë për media në Keni, përcolli “mesazhe të vullnetit të mirë” të Aleksandar Vuçiqit, duke u zotuar për 150 mijë euro ndihmë për viktimat e vërshimeve në Keni.

Ditë më parë Zëvendës Ministri i Jashtëm nga radhët e Vetëvendosjes, Kreshnik Ahmeti, u shpreh i bindur se Serbia “ka dështuar” në fushatën e saj çnjohëse dhe të parandalimit të njohjes së Kosovës ndërkombëtarisht.

“Në vitet e fundit kanë dështuar në secilin lobim në drejtim të këtij qëllimi”, tha Ahmeti.



Lexoni të gjitha në Bota Sot