Politikani serb nga veriu i Kosovës, kryetari i partisë “Demokracia Serbe” (DS), Aleksandar Arsenijeviq është ndaluar për 48 orë.
Kështu së paku thotë një komunikatë nga DS.
Aty thuhet se vendimi është marrë pasi i njëjti, “së bashku me qytetarët e tjerë ka shprehur me zë të lartë pakënaqësinë e tij sot duke përdorur një bilbil në prani të kryetarit” të Mitrovicë së Veriut, Erden Atiq.
“Siç shihet në të gjitha videot tona publike, ne vetëm po protestojmë, duke shprehur pakënaqësi për vendimet ilegale dhe jolegjitime të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të Kosovës — dhe asgjë më shumë. Me arrestimin dhe ndalimin e sotëm është shkelur e drejta për protestë e garantuar me nenin 43 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet qartë se ‘çdo person ka të drejtë të organizojë tubime, protesta dhe demonstrata, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në to’”, thotë DS-ja në komunikatë.
Kjo parti thotë se vendimin e sotëm e konsiderojnë “si mbytje të veprimtarisë sonë politike dhe, për rrjedhojë, presion ndaj të gjithë bashkëqytetarëve tanë nga komuniteti serb se do të arrestohen shpejt nëse kundërshtojnë politikën diskriminuese të qeverisë së Kosovës”.
DS-ja ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar “të reagojë urgjentisht dhe pa vonesë”.