Në Prizren u përkujtua gazetari, Myrfet Shasivari

- Gazeta e Prizrenit

Në Prizren u përkujtua gazetari, Myrfet Shasivari

Me një mbledhje përkujtimore, në Prizren u nderua gazetari Myrfet Shasivari, me ç’rast kolegë, poetë dhe veprimtarë të qytetit, kujtuan kontributin e tij në fushën e gazetarisë.

Redaktori i RTV Besa, Qazim Thaçi pasi foli për jetën dhe kontributin gazetaresk të Shasivarit, e kujtoi atë si mik e gazetar profesional dhe mbi të gjitha të urtë e edukuar.

Shasivari, pas studimeve më 1981 filloi punën si gazetar në RTV e Prishtinës (program informativ politik), derisa herë pas here botonte edhe në gazetat ’’Zeri’’,’’ Rilindja’’, “Fjala’’, etj.

Për aktivitete politike, pas demonstratave të mëdha studentore largohet nga puna. Më 1982 arrestohet e mbahet në burgun e Prizrenit. Në vitet e 90-ta ishte aktiv në LDK. Gjatë dhe pas mbarimit të luftës në Kosovë ka punuar si gazetar në ‘’Bota Sot”.

Evokime  nga veprimtaria e gazetarit Shasivari ka sjellë Berat Batiu, botues  i shtëpisë  botuese ‘’Fidani’’, duke rikujtuar momente të shumta të punës së përbashkët, dhe një stil shkrimi, që e bënte të veçantë.

Gazetari, Qazim Morina, nga portali “Gazeta e Prizrenit”, e vlerësoi Shasivarin si profesionist të përkushtuar në shkrime, por edhe adhurues të muzikës klasike e veçanërisht kitarës. “ Ai preferonte shkrimet e gjata, ndërsa në aktivitetet e zhvilluara, ndërfuste edhe komente e analiza autoriale”, tha ai.

Kujtime ndau edhe Osman Goranci, ish redaktor në Radio Prizren.

Emocionuese ishte letra e të birit të Myrfetit, Florentit, i cili tash jeton në Luksemburg.

Shasivari ndërroi jetë në mesin e gushtit të këtij viti. Për punën dhe angazhimin në gazetari, ku për një mandat ishte edhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Prizren, Myrfet Shasivarit iu nda mirënjohje Pas vdekjes. /Gazeta e Prizrenit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit