Mbrojtësi i kambanës së Skënderbeut dhe autori i veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit”! Kush e tradhtoi At Shtjefën Gjeçovin

- Bota Sot

Mbrojtësi i kambanës së Skënderbeut dhe autori i veprës “Kanuni i Lekë Dukagjinit”! Kush e tradhtoi At Shtjefën Gjeçovin

Më 14 tetor 1929 në fshatin Zym në mes të Gjakovës dhe Prizrenit, vritet nga policia e fshehtë serbe kleriku, mësuesi, studiuesi i gjithanshëm, shkencëtari i shquar Shtjefën Konstantin Gjeçov Kryeziu, i njohur si Shtjefën Gjeçovi, autori i veprës monumentale “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, botuar pas vdekjes, në vitin 1933, një përmbledhje e rregullave të së drejtës zakonore dhe dokeve të popullit shqiptar.

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi dje 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Shtjefën Gjeçovit. At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik, të vitit 1874. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e fratit dhe më pas vijoi mësimet mes françeskanëve në disa vende të ndryshme, por edhe jashtë Shqipërisë. Françeskani Atë Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, deri kur dha edhe frymën e fundit. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896, u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.. At Shtjefën Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore etj..

At Shtjefni ka botuar këta libra: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933). At Shtjefën Gjeçovi u bë i famshëm me librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hylli i Dritës”. Ai u vra nga shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famullitar. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, At Shtjefën Gjeçovi pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit.

Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë. “Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. Ai u bën të ditur patriotëve të tij vlerat e gjuhës sonë, pasi ajo… “âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”.

E mbyll paragrafin, duke vendosur në fund këtë aforizëm: “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. Shkëlqimin e tij At Shtjefën Gjeçovi e ka në vitet 1900 kur diskutohej për çështjen kombëtare derisa mori udhë Pavarësia e Shqipërisë. Të gjitha veprat lidhen me këtë ndjenjë të fortë që françeskanët e kishin, për fe dhe atdhe. Sot pas 30 vitesh demokraci ende vepra e plotë e At Shtjefën Gjeçovit nuk është botuar dhe shumëçka kanë mbetur dorëshkrime.

Krijimtaria

At Shtjefën Gjecovi shkroi në tri gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monument i gjuhës dhe i kulturës së kombit shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”. At Shtjefën Gjeçov mblodhi gojëdhëna, zakone, visar gjuhësor. Përgatiti monografi shkencore historike, etnologjike, arkeologjike, pedagogjike, kodifikoi të drejtën zakonore shqiptare, shkroi artikuj publicistikë, hartoi tekste mësimore, krijoi një koleksion të pasur arkeologjik, shkroi drama e tragjedi, poezi e romane, përktheu letërsi botërore në gjuhën shqipe e vepra fetare, përgatiti vëllime me dokumente për historinë e popullit shqiptar, shkroi artikuj e studime historike.

Shkroi dramat “Dashtunija e atdheut” më 1901, “Kushtrimi asé Mark Kuli Kryeqitas” 1903, “Shqiptari ngadhënjyes” 1904, “Princi i dy Dibrave asé Mojs Golemi” 1904, “Shqiptari ngadhënjyes” 1904, “Katër të lumtun, asé Edipi i Shqipnis” 1926, një pjesë prej të cilave ende në dorëshkrim që gjenden në ASH. Shqipëroi dramat “Atil Reguli”. Dramë me tri pamje të Metastasit më 1905, botuar më 1912; “Vajza e Orleansit asé e Lumja Joana D’Ark” nga A.F. Bergamo, botuar më 1915; “Shna Ndou i Padues i N. Dal-Gal”, botuar më 1912. Shkruan po ashtu edhe novelat, “Mnera e Prezës” 1902 dhe “Rrafgime” 1903. La pa botuar përkthime të sentencave të Sokratit, të romanit polak shumë të lexuar “Quo vadis” (1916) të Shenkieviçit dhe pjesëve nga “Scritti su Parga” të poetit neoklasik italian Ugo Foskolo.

Përveç kësaj, Gjeçovi na ka lënë si trashëgim gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale ende të pabotuara, ndër to shtatë pjesë teatrore dhe disa tregime. Pa llogaritur artikujt e shumtë “Përralla popullore” (1903), “Doke dekësh” (1907), “Rrnesa e kombit shqiptar nder malcina” (Gomsiqe, 1908), “Vajtorëja” (1917-1920). Një pjesë e dorëshkrimeve humbën me vdekjen e tij. Sa u përket shkrimeve arkeologjike, veçohet shkrimi “Trashigime thrako-ilirjane” botuar po te “Hylli” më 1924. Sipas ditarit të Shuteriqit, më 1924 së bashku me Simon Shuteriqin zbuluan kambanën e Sopotit të Bërzeshtës. Në Ekspozitën Misionare Botërore të Françeskanëve të hapur më 1925 në Vatikan, Provinca Françeskane Shqiptare u përfaqësua me elemente nga koleksioni arkeologjik i Gjeçovit.

Koleksioni i tij u organizua më tej si muze në mjediset e kuvendit françeskan në Shkodër. Puna më e rëndësishme e jetës së tij qe përmbledhja e Kodit Zakonor Shqiptar, botimi i të cilit u titullua “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Mbledhjet e para të kanunit i botoi në vitet 1898-1899 po tek “Albania” e Konicës më 1897-1898 dhe më pas tek “Hylli i Dritës” ndërvitet 1913-1924. Përmbledhja e plotë me 1,263 nene, të renduara në 12 kapituj, u botua nga françeskanët së pari më 1933, vetëm pas vdekjes së tij. Metoda se si u bë mbledhja nuk është bërë e ditur, edhe nëse ka pasur një pyetësor, nuk është ruajtur.

Gjuha shqipe

Gjeçovi një vëmendje i ka kushtuar rëndësisë që ka fjalori për mësimin e gjuhës e në radhë të parë të gjuhës shqipe, të cilën e trajtonte në pjesën e fundit që e titullon “Shtim”. Fillimisht shënonte pesë fjalorë të shqipes: të Bardhit (1635), të Rossit (1886), të Junkut (1895), të Kristoforidhit (1904) të L.Gurakuqit (1906) dhe të shoqnisë “Bashkimi” (1908). Për autorin, rëndësi nuk kishte grumbullimi i librave, por leximi i tyre dhe kështu shqiptari do ta mësonte gjuhën, pasi “Giuha njerzt e nji komit i bashkon”. Gjeçovi ngrihej kundër padijes dhe injorancës së atyre shqiptarëve që thoshin se “Mue m’kaa msue nâna shqyp e nuk m’duhet mâa tepër se e dii!”. Këtu autori ndërhynte duke dalluar, siç shkruante ai, “giûhë shpijare” dhe “giûhë gjytetnore”. E para i përkiste ligjërimit shtëpiak, një gjuhë jo e zgjedhur e papërpunuar, ndërsa ajo gjytetnore, është e përpunuar, me një fjalor të pasur, është e përzgjedhur.

E kjo gjendej te gurra e popullit, te fjalori, i cili “âsht nji deet, qi s’bân t’marue!..ai. âsht visari i giuhës, i dijes, i t’ndollunave, i vargënimit e i vjershënimit”. Zotërimi i fjalorit sillte që “giuha na hijeshohet si tuj ligjerue, si tuj e shkrue”. Gjeçovi ishte edhe kundër fjalëve të huaja, që në atë kohë, kur nuk kishte shtet shqiptar, edhe vërshimi i tyre nuk ishte i vogël. Në këto rrethana duhej vlerësuar dhe përdorur fjalori i K. Kristoforidhit, pasi ai sipas Gjeçovit, i ka veçuar në fjalor fjalët e huaja. Ai i referohet edhe historianit hungarez Ludovik Taloçi (Ludwig Thalloczy, 1854-1916), që kishte thënë se shqipja nuk ka lidhje me gjuhët e tjera dhe është një nga gjuhët më të vjetra në Europë. Gjeçovi e mbyll veprën me porosinë për ta mësuar fjalorin e gjuhës shqipe, pasi ai është “libri i komit t’onë e thesari i atdheut t’onë”.

Vepra e Gjeçovit nga bashkëkohësit është vlerësuar për gjuhën e saj, larg ndikimeve të gjuhëve të huaja, e pasur për sa i përket fjalorit dhe frazeologjisë që rrallë mund t’i gjesh ndër shkrimtarë të tjerë që shkruajnë shqip. Shkrimtari, etnografi, arkeologu, përkthyesi, patrioti, kleriku, Mësuesi i Popullit, Shtjefën Gjeçovi mbetet një figurë e rëndësishme e Rilindjes sonë, që iu kushtua me vetëmohim çështjes sonë kombëtare e në mënyrë të veçantë ruajtjes e përhapjes së gjuhës shqipe dhe të arsimit tonë kombëtar, duke qenë nismëtar i hapjes së mjaft shkollave në gjuhën amtare, njëkohësisht si krijues dhe përgjithësisht si mbledhës dhe sistemues i kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit dhe kombit tonë.

Kambana

Në luftën çlirimtare Gjeçovi mori pjesë me pushkë në dorë në Gomsiqe (1912) e Vlorë (1920), hapi shkolla shqipe e ishte mësues i tyre, ishte i pari që aktivisht punoi për bashkimin e dy kishave shqiptare në vitet ‘20 të shek. XX. Në vitin 1901 A. Degrand, konsulli francez i Shkodrës botoi një udhëpërshkrim, ku tregonte edhe për dy kambana, që ishin të lëna në mëshirën e fatit, në rrënojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës. Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Skënderbeut, e derdhur në bronz në vitin 1462, me përzjerje metalesh të çmuara. Menjëherë u vunë në lëvizje tregtarët e relikeve e antikuareve dhe iu propozua agait të qytetit të Krujës, Muharrem Kaloshi, shuma prej 25 napolonash flori me kusht që t’ua dërgonte kambanën e Skënderbeut në Barbullush.

Sipas trafikantëve, nga Barbullushi ishte rruga më e lehtë për me anë të detit, sepse edhe në kohën e pushtimit turk, objekte të tilla nuk dilnin kollaj nga portet e doganat e Perandorisë. I mirinformuar Gjeçovi, prift i fshatit të humbur e të varfër, Laçit të Kurbinit, i vihet punës për ta futur në dorë këtë relike të çmuar e t’u trashëgohet shqiptarëve si shenjë i epokës së lavdishme të tyre. Vrapon tek Muharrem Aga, hyn në pazar dhe bie dakord për një çmim prej 15 napolonash, me kusht që kambanën ta marrë vetë Gjeçovi nga Kruja. Se si i gjeti e i sajoi Gjeçovi 15 napolonat nuk dimë, por vetë ai me 1901 shkruan: “Në të vërtetë unë nuk mund ta paguaj edhe sikur të shisja vetën time”.

Megjithatë e bleu kambanën, e fshehu mirë, si pohon vetë dhe i shkruan konsullit A-Hungarez në Durrës, ku i kërkonte instruksione. Ranë dakord dhe u bë kontrata që kambanën do ta ruante konti austriak Kiuatkovvski dhe do t’i kthehej Krujës kur të rindërtohej kisha e Kështjellës. Kambana udhëtoi drejt Durrësit dhe më vonë drejt Vjenës. Në vitin 1923, më 28 nëntor në Tiranë u hap për herë të parë Muzeu Kombëtar Shqiptar. Gjeçovi ngriti peshë me letra herë ambasadën austriake, e herë vetë qeverinë e Vjenës deri sa ia arriti qëllimit. Kambana erdhi, por me vonesë. Nga Vjena iu dërgua ambasadës sonë në Romë dhe në dhjetor 1923 arriti në Tiranë. Gjeçovi nga Shkodra vrapon për ta parë me sytë e tij dhe për ta saktësuar që është ajo. Me këtë rast bëri dhe një vizatim në dy pamjet, që ruhet në AQSH, Tiranë, ku ruhet fondi i tij arkivor. Muzeu i Tiranës shkatërrohet, Gjeçovi vjen në Tiranë, merr kambanën dhe e çon në Shkodër. Pas Luftës së Dytë ajo kthehet prapë në Tiranë, sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Skënderbeut në Krujë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot