Zyrtarët policorë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme, që në shumicën e rasteve motivet lidhen edhe me punën e tyre zyrtare. Ngjarje të tilla ndodhin gjatë kohës kur policët janë me uniformë.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në Gjakovë, ku një person është arrestuar pasi e ka kërcënuar një zyrtar policor në detyrë.
Personi i arrestuar është 34-vjeçari, Shpend Ahmeti.
34-vjeçari ka qenë pasagjer në një veturë të ndaluar nga Policia në një pikë kontrolli, ku ka refuzuar t’i zbatonte urdhrat nga polici i cili ia kishte kërkuar dokumentet për identifikim.
Më pas, ai e ka kërcënuar policin me fjalët “Na dy shihemi e përballemi kur s’je në uniformë, kur je civil…i ri je ti, të njoh unë ty…”.
Lajmi për arrestimin e tij është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Rr. Gasper Karaqi, Gjakovë 17.10.2024, 21:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte refuzuar urdhrat e zyrtarit policor po ashtu të njëjtin e kishte kanosur. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, me vendim të Prokurorit, rasti është inicuar si “Kanosje”.