Minatorët e SHBA-së letër Kurtit

- Bota Sot

Minatorët e SHBA-së letër Kurtit

Të hënën në qytetin e Prizrenit u mblodhën Sindikata e Minierës së Trepçës bashkë me Sindikatën e Shqipërisë e përfaqësues sindikatash nga Amerika e Australia. Nga aty u kërkua nga qeveria trajtimi më i mirë i minatorëve dhe plotësimi i kërkesave të tyre.

U mblodhën në qytetin e Prizrenit.

E gati po bëhen për të pritur të ftuarit.

Këtë  të hënë, Sindikata e Minierës së Trepçës zhvilloi takim me Sindikatën e Shqipërisë e përfaqësues sindikatash nga Amerika e Australia.

Këtu, të pranishmit u njoftuan për sfidat e sindikalizmit në Kosovë si dhe për periudhën e vështirë që po e kalojnë minatorët.

E gjithë kjo sipas tyre, si shkak i mungesës së dialogut social dhe mostrajtimit të kërkesave të minatorëve nga ana e qeverisë.

“Për ne dhe për të gjithë kolegët e mi nga minatorët është shqetësuese një trajtim i tillë nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, tha Ibrahim Jonuzi – nga Sindikata e Minierës së Trepçës

E nga Sindikata e Pavarur e Shqipërisë u tha se kryeministri Kurti nuk e mbajti premtimin për minatorët.

Andaj kanë një thirrje për të parin e shtetit.

“I bëj apel nga ky takim që po zhvillohet të mbajë angazhimet dhe premtimet për minatorët e Trepçës dhe të gjithë minatorët e Kosovës. Njëkohësisht, duhet të realizojë pagat e tyre, pensionet e tyre dhe statusin e minatorit që kërkohet nga minatorët e Trepçës të gjithë minatorët e Kosovës”, tha Gëzim Kalaja – Kryetar i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë

Ndërsa, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë së hënës iu dërgua një letër kryeministrit Albin Kurti.

“Presidenti im pak më parë dërgoi një letër tek kryeministri i Kosovës duke kërkuar që minatorët e Trepçës të trajtohen në mënyrë humane dhe të drejtë. Jam këtu për ta ritheksuar dhe riformuar atë mesazh sot. Ne jemi këtu në suport të plotë ndaj tyre, ndaj familjeve të tyre, ndaj komuniteteve të tyre sepse ne jemi të gjithë bashkë kur bie fjala për mundësinë e njerëzve për të punuar në kushte të sigurta dhe të kenë një të ardhme të sigurt”, u shpreh John Smith – Përfaqësues nga minatorët e ShBA-së.

E mbështetja për minatorët vjen edhe nga Australia.



Lexoni të gjitha në Bota Sot