Presidentja e Gjeorgjisë thotë se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve

- Bota Sot

Presidentja e Gjeorgjisë thotë se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili tha të dielën se ajo nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të shtunën në Gjeorgji. Ajo tha se vendi ka qenë viktimë e një operacioni special rus.

Po kështu vëzhguesit evropianë thanë sot se zgjedhjet në Gjeorgji u zhvilluan në një mjedis "përçarës" me kërcënime të përhapura dhe raste të dhunës fizike, të cilat minuan rezultatin e zgjedhjeve. Gjeogjianët pritej të vendosnin nëse vendi do të vazhdonte rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo do të zhytej më tej nën ndikimin rus. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha sot se partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, fitoi 54.8% të votave ndërsa ishin numëruar 100% të tyre. Vëzhguesit vendas gjithashtu njoftuan për shkelje të shumta në proces dhe thanë se rezultatet "nuk përputhen me vullnetin e popullit gjeorgjian".

Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë të dielën se një fushë e pabarabartë e betejës elektorale sa i takon financimit minoi besimin tek rezultati dhe ngriti pikëpyetje nëse zgjedhjet ishin të drejta.

"Njoftimet për presionit ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të sektorit publik, ishin të përhapura në këtë fushatë. Kjo, së bashku me gjurmimin e gjerë të votuesve në ditën e zgjedhjeve, ngre shqetësime rreth mundësisë që kishin disa qytetarë, për të votuar pa frikën e ndëshkimit", tha koordinatori special i OSBE-së, Pascal Allizard.

Zyrtarët e OSBE-së thanë gjithashtu se kishin vërejtur raste të blerjes së votave dhe votimit të dyfishtë veçanërisht në zonat rurale.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëri të ditur të dielën se Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane kishte siguruar më shumë se 54% të votave në zgjedhjet parlamentare të së shtunës, por rezultati u kundërshtua nga opozita.

Të dielën udhëheqësit e dy prej partive opozitare, Tina Bokuchava dhe Giorgi Vashadze thanë se nuk do ta pranojnë rezultatin dhe paralajmëruan ndër të tjera, zhvillimin e protestave.

"Zgjedhjet u vodhën nga oligarku prorus Bidzina Ivanishvili dhe ne, Lëvizja Kombëtare për Unitet nuk do ti pranojmë ato. Jemi këtu me presidenten, për tu konsultuar me të dhe do të vazhdojmë konsultimet intensive. Shpresoj që opozita demokratike properëndimore do të bashkohet”, tha udhëheqësja e partisë opozitare Lëvizja Kombëtare për Unitet, Tina Bokuchava.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe udhëheqësi i partisë Ndërtimi i Straegjive, Giorgi Vashdze.

Qëndrimi ynë është se duhen patjetër protesta, duhet të tregojmë se ne jemi më shumë se ata”, tha ai.

Zonja Bokuchava dhe zoti Vashadze i bënë komentet pas një takimi me presidenten e vendit, Salome Zourabishvili.

Rezultati, shihet si një goditje për gjeorgjianët properëndimorë, që e shihnin procesin si një zgjedhje mes partisë në pushtet, që ka thelluar lidhjet me Rusinë dhe opozitës, që synon të përshpejtojë integrimin evropian.

ISFED, një grup monitorues vendas tha se kishte regjistruar shkelje në proces, përfshirë mbushjen e kutive të votimit me fletëvotime, dhënie ryshfeti dhe frikësim të votuesve, që mund të ketë ndikuar siç tha, tek rezultati.

Përfaqësuesit e grupit thanë se nuk kishte vënë re shkelje thelbësore në procesin e numërimit të votave, shumica e të cilave u numëruan në mënyrë elektronike.

Komisioni Zgjedhor dhe partia Ëndrra Gjeorgjiane thanë se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment mbi akuzat e opozitës.

"Fakti që e njëjta parti mund të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian”, thatë shtunën miliarderi dhe themeluesi i partisë Ëndra Gjeorgjiane Bidzina Ivanishvili.

Rezultati i zgjedhjeve ka shkaktuar përçarje mes gjeorgjianëve.

"Nuk jam plotësisht i kënaqur që disa parti, fituan mandate parlamentare. Megjithatë nuk besoj se situata do të përkeqësohet edhe më shumë nga çfarë është aktualisht”, thotë banori i Tbilisit Vahtang Magradze.

"Do të doja që votat mes partisë në pushtet dhe opozitës të ishin shpërndarë në mënyrë të barabartë, do të ishte më mirë për ne. Por, duket se gjërat do të vazhdojnë ashtu siç kanë qenë. Nuk pres asgjë të mirë", thotë një tjetër banor i Tbilisit Vazha Pophadze.

“Kryesorja është që të ketë paqe dhe nuk ka nevojë të luftojmë me njëri-tjetrin. Është e nevojshme që kombi të bashkohet dhe të gjithë të jenë të lumtur. Nuk ka nevojë të shajmë njëri-tjetrin”, thotë ky banor i Tbilisit që u identifikua vetëm me emrin e tij Mamuka.

Opozita sillet sikur nuk beson në vetvete. Mendoj se nuk ka humbur çdo shpresë ose se ne do të zgjohemi nesër si rusë. Deri në zgjedhjet e ardhshme do të ketë ndryshuar shumë”,thotë Saba Prunidze, banor i Tbilisit.

Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më properëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik.

Që nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Tbilisit me Perëndimin kanë pësuar rënie. Ndryshe nga shumë aleatë perëndimorë, Gjeorgjia nuk pranoi të vendoste sanksione ndaj Moskës, ndërsa retorika e Ëndrrës Gjeorgjiane është bërë gjithnjë e më pro-ruse./VOA



Lexoni të gjitha në Bota Sot