Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka qëndruar të hënën në Kamenicë.
Ai ka thënë se kjo komunë është një prej vendbanimeve me ikjen më të madhe të të rinjve.
E kjo siç thotë Hamza, për shkak të mungesës së perspektivës.
“Kamenica është njëra prej vendbanimeve me ikjen më të madhe të të rinjve për shkak të mungesës së perspektivës. Sonte i takova qytetarët e kësaj komune për t’iu treguar se ky vend ka shpresë”, ka thënë ai.
Më tutje, Bedri Hamza ka thënë se Kosovës i duhet një lidership i ri, që e zhvillon ekonominë dhe krijon perspektivë të re.
“Kosova ka nevojë për një qeveri që e ndërton më mirë të sotmen dhe më sigurt të ardhmen. Ka nevojë për një lidership të ri, që e zhvillon ekonominë dhe krijon perspektivë të re, që të rinjtë të mos na ikin, por të qëndrojnë këtu, të krijojnë familje, t’i rrisin fëmijët dhe të punojnë në vendin e tyre”, ka thënë Hamza.
Komuna e Kamenicës qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje, parti që e ka pushtetin edhe në nivel qendror.