Seedorf aludon për komplot të UEFA-s ndaj Real Madridit

- Bota Sot

Seedorf aludon për komplot të UEFA-s ndaj Real Madridit

Clarence Seedorf i “hedh benzinë zjarrit”, në vazhdën e polemikave për “Topin e Artë”, që njihte si favorit absolut Vinicius Junior për vitin 2024, por pa mbrëmë të ngjitej dhe laureohej në skenë Rodri.

Ish-lojtari Real Madridit nga viti 1996 deri më 2000, me karrierë edhe te Milani e Interi, ndërhyri në debat pas vendimit për t’ia dhënë trofeun e shumë lakmuar të “France Football” mesfushorit spanjoll të Manchester City, kampion i Europës.

Një reagim befasues nga 48-vjeçari, tashmë kolumnist dhe komentator sportiv televiziv, përballë mikrofonave të “TNT Sports Brazil”:

“Unë votova pothuajse një vit më parë dhe mendoj se Vinicius e meritonte këtë çmim”. Megjithatë, Seedorf nuk u ndal me kaq, duke shkuar pak më tej në konsideratat personale dhe lënë të kuptohet për ekzistencën e mundshme të një komploti kundër Real Madridit dhe yllit brazilian:

“Duket se ka diçka mes Real Madridit dhe UEFA-s, që nuk po zgjidhet dot.

Është turp, sepse këto gjëra duhet të ndahen, veçanërisht për një lojtar, në një moment të caktuar. E nënvizoj me forcë: Problemet mes Real Madridit dhe UEFA-s duhet të ndahen, të mos ndikojnë në këto gjëra. Është turp”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot