Rusia fillon sërish stërvitje për përdorimin e armës bërthamore

- Bota Sot

Rusia fillon sërish stërvitje për përdorimin e armës bërthamore

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin njoftoi se në vendin e tij kanë nisur sërish stërvitje për përdorimin e armëve bërthamore, transmeton Anadolu.

Në deklaratën nga Pallati i Kremlinit thuhet se Putin zhvilloi takim me zyrtarë ushtarakë rusë. Presidenti rus tha se në Rusi kanë filluar sërish stërvitje për përdorimin e armës bërthamore. “Sot, ne po kryejmë sërish stërvitjen e forcave parandaluese strategjike. Me lëshimin e raketave balistike dhe lundruese do të kontrollohen veprimet e autoriteteve në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore”, tha ai.

Sipas tij, përdorimi i armëve bërthamore për të garantuar sigurinë e shtetit është një masë “e jashtëzakonshme”.

“Bashkë me këtë, treshja bërthamore vazhdon të jetë garancia e sovranitetit dhe sigurisë së vendit tonë, kontribuon në zgjidhjen e problemeve në fushën e parandalimit strategjik, për barazinë bërthamore të faktorëve objektivë të stabilitetit global dhe ruajtjen e ekuilibrit midis fuqive. Duke pasur parasysh tensionet gjeopolitike në rritje, kërcënimet dhe rreziqet e reja të jashtme, është e rëndësishme të kemi gjithmonë gati në përdorim forcat strategjike moderne”, theksoi Putin.

Pasi bëri të ditur se ata do të vazhdojnë të rinovojnë forcat bërthamore, Putin tha se kanë burimet e nevojshme për këtë. “Shkalla e pajisjes së ushtrisë ruse me armë moderne arriti në 94 për qind këtë vit”, potencoi ai.

Putin tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e mbrojtjes së Rusisë dhe qytetarëve të saj. “Ne nuk duam të hyjmë përsëri në një garë armësh, por do ta mbajmë fuqinë tonë bërthamore në nivelin e nevojshëm”, shtoi presidenti rus.

Rusia filloi stërvitje për përdorimin e armëve bërthamore në Rajonin Ushtarak Jugor në fund të majit. Stërvitja e cila përbëhej nga tre faza zgjati afërsisht 3 muaj.



Lexoni të gjitha në Bota Sot