Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia synon të ketë së shpejti sistemin e mbrojtjes ajrore me shumë shtresa, “Kupolën e Çelikut” dhe shtoi se Ankaraja do të rrisë gjithashtu aftësitë e raketave me rreze të gjatë veprimi.
Në vitet e fundit, anëtari i NATO-s ka reduktuar ndjeshëm varësinë nga furnizuesit e jashtëm të pajisjeve të mbrojtjes, shkruan reuters.
Ajo është bërë prodhuesi kryesor i dronëve të armatosur për tregun global dhe prodhon një numër të madh armësh për nevojat e veta.
Duke folur në një ceremoni për të shënuar inaugurimin e helikopterit, Gokbey për xhandarmërinë në selinë e Industrisë Ajrore Turke (TUSAS) në Ankara, e cila ishte objektivi i një sulmi vdekjeprurës nga militantët kurdë javën e kaluar, lideri turk e krahasoi “Kupolën e Çelikut” me “Kupolën e Hekurit” të Izraelit.
“Tani po kuptohet shumë më mirë sa të rëndësishme janë sistemet tona shumë-shtresore të mbrojtjes ajrore për sigurinë. Nëse ata (Izraeli) kanë Kupolën e Hekurt, ne do të kemi Kupolën e Çeliktë. Nuk do të shohim drejt tyre dhe të themi ‘pse nuk e kemi këtë”, theksoi ai, por nuk dha një afat kohor të saktë.
Ndryshe, sistemi izraelit i mbrojtjes ajrore, Kupola e Hekurt, është ndërtuar për të kapur raketat në ajër.
Ai u vendos në funksion në vitin 2011 ndërsa sistemi përcakton nëse një raketë është në rrugën e saj për të goditur një zonë të banuar, dhe nëse nuk është, e injoron atë, duke e lënë të bjerë pa rrezik.