Peter Szijjarto nis fjalimin e tij në Minsk në rusisht, më pas kaloi në anglisht

- Bota Sot

Peter Szijjarto nis fjalimin e tij në Minsk në rusisht, më pas kaloi në anglisht

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto e filloi fjalimin e tij në gjuhën ruse në Konferencën për Sigurinë Euroaziatike në Minsk të Bjellorusisë, duke falënderuar organizatorët për ftesën.

Fjalimi 14-minutësh filloi në gjuhën ruse, por shpejt kaloi në atë angleze. Kryediplomati hungarez nuk e përmendi Ukrainën, duke thënë vetëm se “Evropa dhe Hungaria po përballen me një nga konfliktet më të rënda qe nga Lufta e Dytë Botërore”.

Ai theksoi rëndësinë e "bashkëpunimit euroaziatik" dhe "unitetit në rajonin euroaziatik".

"Është e drejta sovrane e Hungarisë të negociojë me këdo që dëshiron", tha ai.

Pas fjalimit, shefi i diplomacisë hungareze u takua me homologun e tij rus Sergej Lavrov, të cilit i tha se Budapesti dëshiron të rrisë bashkëpunimin ekonomik me Moskën në fushat "që nuk preken nga sanksionet", veçanërisht në energji.

Ai ka biseduar edhe me homologun e tij bjellorus, Maksim Rizhenkov duke thënë se është në "interesin kombëtar" të Hungarisë që të rrisë bashkëpunimin me Bjellorusinë.

"Ne mendojmë se bota po shembet, sepse disa njerëz duan tu thonë të tjerëve se kush mund të flasë me kë, kush mund të takohet me kë dhe kush jo. Ne kemi të drejtën sovrane të negociojmë me kë të duam," tha Szijjarto pas takimit.

Ndryshe, Hungaria nga 1 korriku ka marrë kryesimin 6-mujor të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.



Lexoni të gjitha në Bota Sot