Gjykimi për krime lufte, dëshmitari deklaron se i akuzuari e ka detyruar me dhunë të ngarkojë kufomat në kamionë

- Gazeta e Prizrenit

Gjykimi për krime lufte, dëshmitari deklaron se i akuzuari e ka detyruar me dhunë të ngarkojë kufomat në kamionë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Skënder Rracaj ka deklaruar se i akuzuari Gavrilo Milosavleviq dhe shokët e tij e kanë detyruar me dhunë që të ngarkojnë kufomat e të burgosurve të Dubravës në kamionë.

“I njëjti i akuzuar që është këtu, kur jemi tërhek prej datës 24 maj, ky bashkë me shokët e vet na kanë detyru me dhunë që t’i ngarkojmë kufomat që i kanë vra këta, me kamiona”, deklaroi Rracaj.

Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

I njëjti deklaroi që kufomat kanë qëndruar në objektin e burgut nga data 19 maj, dita tragjike kur ka ndodhur masakra e burgut të Dubravës, deri me datën 24 maj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Aty kanë qëndru, deri sa e kanë bërë varrimin masiv në fshatin Rakosh, Komuna e Istogut. Datën e saktë nuk e di pasi që unë pas datës 24 maj jam transferu në burgun e Lipjanit”, shtoi tutje dëshmitari.

Ai tha se kanë qenë përafërsisht 20 kufoma në një vend, të vendosura një mbi një.

“Ka pas shumë vende me të vrarë, i gjithë burgu ka qenë i mbushur me kufoma” tha Rracaj.

Dëshmitari thotë se të burgosurit ishin thirrur që të dalin në fushën e sportit, ku më pas janë gjuajtur nga të gjitha anët dhe kanë mbetur të vdekur 168 prej tyre.

“Aty na ka bo thirrje me u afru ma afër karaullës për asrye me na numëru, aty jemi rreshtu krejt ren dhe me të afruar afër karaullës kanë fillu me gjujt në ne, me armë të ndryshme ku kanë mbet të vdekur 168 shokë tonë. Kanë gjujtë prej anës së majt dhe të djathtë, nga të gjitha anët. Ka pasur gjuajte edhe nga jashtë murit, kanë gjujate me bomba dore”, shtoi dëshmitari.

Sipas tij, njëri prej atyre që ka gjuajtur në drejtim të të burgosurve është edhe i akuzuari Milosavleviq.

“Na kem pa… ka pas plotë njerëz, ku në mesin e tyre ka qenë edhe i akuzuari qe është këtu sot, i cili ka qenë në kruhun e majtë të karaullës, me pushkë automatike dhe me bomba dore që ka gjujt në drejtim tonin”, tha dëshmitari Rracaj.

Tutje, dëshmitari deklaroi që të akuzuarin e njihte përmes pseudonimit “Gagi” dhe “Maqka”, që sipas tij kështu e thërrisnin në burg.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civil shqiptarë.

Gjithnjë sipas aktakuzës në bashkëkryerje me njësit policore serbe Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.

Tutje në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizorë dhe çnjerëzorë të burgosurit civil shqiptare.

Në aktakuzë përmend se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se roje kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ja kishin ndalur frymëmarrje.

Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”. e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit