Tragjedia në Novi Sad/ Përfundon operacioni i kërkimit, konfirmohen 14 të vdekur! Serbia shpall 2 nëntorin ditë zie

- Bota Sot

Tragjedia në Novi Sad/ Përfundon operacioni i kërkimit, konfirmohen 14 të vdekur! Serbia shpall 2 nëntorin ditë zie

Dita e sotme është shpallur ditë zie për Serbinë pas tragjedisë së djeshme ku humbën jetën 14 persona nga shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor. 

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic deklaroi se operacioni i kërkim-shpëtimit ka përfunduar dhe se ky ishte bilanci përfundimtar i viktimave, ndërkohë që nuk janë identifikuar. Nga ana tjetër të gjithë të plagosurit kanë marrë lëndime të rrezikshme për jetën.  

"Kemi të bëjmë me lëndime shumë të rënda, kemi të bëjmë me të rinj. E plagosura e fundit tashmë është intubuar dhe ka ardhur në Qendrën Klinike të Vojvodinës", tha drejtoresha e QKV-së, Vesna Turkulov. Zyrtarët thanë se mes viktimave ishte edhe një vajzë e mitur, shkruajnë mediat serbe.

Konstruksioni prej betoni dhe çeliku u shemb në një moment kur njerëzit kanë qenë poshtë, disa në stola, disa pranë, pasi aty ka edhe një stacion autobusi. Sipas dëshmitarëve okularë, nuk kishte të dhëna se mund të ndodhte një tragjedi, struktura u shemb për pak sekonda dhe nuk kishte mundësi që njerëzit të shpëtohenin.  

Bëhet gjithashtu me dije se ndërtesa e Stacionit Hekurudhor është rikonstruktuar dy herë në dy vitet e fundit. Mirëpo, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç, thotë se një pjesë e stacionit, konkretisht tenda e shembur nuk është rikonstruktuar, duke thënë se kjo shihet në lejen e ndërtimit.  

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në fjalimin e tij para qytetarëve tha se kërkon nga autoritetet hetuese që personat përgjegjës për atë që ndodhi të ndiqen penalisht dhe të dënohen rëndë. 

Në ndërkohë, qytetarët u mblodhën në Sheshin e Lirisë në qendër të Novi Sadit, duke lënë lule dhe duke ndezur qirinj. Flamujt e Republikës së Serbisë, të Krahinës Autonome të Vojvodinës dhe të qytetit të Novi Sadit janë ulur në gjysmështizë. Qeveria e Serbisë e shpalli të shtunën më 2 nëntor Ditë zie në Serbi, ndërsa kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriç shpalli tri ditë zie në atë qytet.  



Lexoni të gjitha në Bota Sot