Rusia po mbledh dhjetëra mijëra trupa në Kursk, thotë Ukraina

- Bota Sot

Rusia po mbledh dhjetëra mijëra trupa në Kursk, thotë Ukraina

Rusia ka mbledhur rreth 45 mijë trupa në Kursk, si sinjal se mund të jetë duke e përgatitur një kundërofensivë për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni, tha komandanti i përgjithshëm ukrainas, gjenerali Oleksandr Syrskiy, më 6 nëntor.

Ai shtoi se Moska po tenton gjithashtu ta forcojë efektivitetin e saj me ushtarë nga Koreja e Veriut.

Komentet e Syrskiyt në rrjetet sociale erdhën të njëjtën ditë kur dhoma e sipërme e parlamentit të Rusisë, Këshilli i Federatës, ratifikoi një traktat me Phenianin që parashikon ndihmë ushtarake të ndërsjellë, një veprim që ndodhi pasi Uashingtoni konfirmoi dërgimin e 10.000 ushtarëve nga Koreja e Veriut në Rusi.

“Armiku ka grumbulluar rreth 45.000 trupa atje. Dhe po përpiqet ta shtojë numrin e tyre. Ushtria ruse vetë nuk është e mjaftueshme në këtë drejtim, prandaj po përpiqet të tërheqë personel ushtarak nga Koreja e Veriut”, shkroi Syrskiy në Telegram.

Ukraina pretendohet se kontrollon më shumë se 1.000 kilometra katrorë territor në Kursk pas një ndërhyrjeje të papritur brenda rajonit rus që ka filluar më 6 gusht.

Lëvizja e Kievit erdhi si një befasi, pasi forcat e tij të shterura po luftonin në lindje të Ukrainës kundër një ofensivë të ashpër nga forcat ruse, që ishin më të shumta, më të pajisura dhe më të armatosura.

Syrskiy tha se ndërhyrja ishte e nevojshme si një goditje parandaluese kundër një sulmi të mundshëm rus nga Kursku në rajonin ukrainas të Sumyt.

“Për këtë arsye, u vendos të zhvillohet një operacion ofensiv parandalues, duke e transferuar luftën në territorin e armikut në rajonin e Kurskut”, shkroi Syrskiy.

Ai gjithashtu pretendoi se që nga fillimi i ndërhyrjes së Ukrainës në Kursk, janë vrarë 7.905 ushtarë rusë, 12.220 janë plagosur dhe 717 janë kapur.

Shifrat e paraqitura nga Syrskiy nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.

Më herët më 6 nëntor, mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi 38 nga 63 dronët e lëshuar nga Rusia në nëntë rajone, njoftoi Forca Ajrore në Telegram.

Njëzet e dy dronë të tjerë u humbën pasi sistemet e tyre të navigacionit u bllokuan nga njësitë e luftës elektronike ukrainase, shtoi forca ajrore.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit juglindor të Zaporizhjas tha se numri i viktimave pas një sulmi me raketë të Rusisë në rajonin e tij kishte arritur në shtatë të vdekur dhe 25 të plagosur.

Rusia ka shtuar sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës ndërsa po afrohet dimri i tretë në luftë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ndërkohë, tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi tre dronë ukrainas mbi rajonet e Kurskut dhe Oryolit/REL



Lexoni të gjitha në Bota Sot