A do ti befasojë Orbani udhëheqësit evropianë?

- Bota Sot

A do ti befasojë Orbani udhëheqësit evropianë?

Radha e Hungarisë për kryesimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të këtij viti gjithmonë ka qenë e destinuar të jetë interesante, duke pasur parasysh shprehinë e Budapestit për t’u përplasur me Brukselin për një sërë çështjesh, jo vetëm për Rusinë dhe Ukrainën.

Mund të thuhet se një nga pikat kryesore të kësaj presidence kundërthënëse do të ndodhë më 7 nëntor, kur kryeqyteti hungarez do të mirëpresë samitin e Bashkësisë Politike Evropiane, një forum politik që mbledh udhëheqësit e pothuajse të gjitha shteteve evropiane (përveç Bjellorusisë, Rusisë dhe Vatikanit). Atë mbrëmje dhe të nesërmen do të zhvillohen takimi i 27 krerëve të qeverive të Bashkimit Evropian, të cilët kryesisht do të diskutojnë se si ta bëjmë bllokun më konkurrues.

Në Bruksel ka thashetheme se Orbani ka “një befasi të madhe” për mysafirët e tij.

Një tjetër çështje që do të diskutohet në Bashkësinë Politike Evropiane dhe veçmas gjatë samitit joformal të BE-së, do të jenë zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 26 tetor në Gjeorgji. Këto zgjedhje i fitoi Ëndrra Gjeorgjiane në pushtet dhe procesi u përshkrua me parregullsi. BE-ja është e ndarë se si të përgjigjet lidhur me atë nëse zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta.

Shefi për politikë të jashtme i BE-së, Josep Borrell, javën e kaluar foli për këtë paqartësi, duke theksuar se vëzhguesit e zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR ende nuk kanë deklaruar nëse zgjedhjet ishin ose jo të lira dhe të drejta.

Do të jetë interesante të shihet se kush do ta përfaqësojë Tbilisin në samitin e Bashkësisë Politike Evropiane. Herën e fundit, në Pallatin Blenhajm të Mbretërisë së Bashkuar, Gjeorgjia u përfaqësua nga kryeministri Irakli Kobakhidze, Qeveria e të cilit është akuzuar se gjithnjë e më shumë po bëhet autoritare.

Pasi që është detyrë e Budapestit të merret me çështjen e ftesave, nuk do të ishte befasi nëse Orbani do të dëshironte që të ishte i pranishëm aleati i tij nga Ëndrra Gjeorgjiane, gjë që mund të shkaktojë shumë takime të pakëndshme me udhëheqësit e tjerë evropianë.

Më pas është edhe presidenti ukrainas, Volodymy Zelensky, i cili pritet të realizojë vizitën e tij të parë në Budapest që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit të tij më 2022. Zelensky dhe Orbani janë grindur shpesh dhe në këtë aspekt vlen të përmendet hezitimi i Hungarisë për të dërguar më shumë fonde të BE-së në Kiev dhe skepticizmit sa i përket anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe NATO. Prandaj, vizita e Zelenskyt në Budapest do të jetë një çështje tensionuese.

Pjesa formale e Bashkësisë Politike Evropiane do të zgjasë vetëm disa orë me një seancë të shkurtër plenare, ku do të diskutohet për sfidat e sigurisë. Më pas do të ketë një seancë të jashtëzakonshme që do të përqendrohet në migracionin dhe sigurinë ekonomike përpara se samiti të përmbyllet me një seancë të dytë plenare.

Ajo çfarë është e rëndësishme në këtë samit është mundësia e disa takimeve të shkurtra diplomatike joformale, diçka që udhëheqësit e pëlqejnë sa i përket formatit të Bashkësisë Politike Evropiane. A do të takohen, për shembull, udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit, me apo pa praninë e presidentit në largim të Këshillit Evropian, Charles Michel?

Debati për migracionin po ashtu mund të jetë interesant, pasi BE-ja po bëhet gjithnjë e më kufizuese në këtë fushë. Një dokument diskutimi para samitit të Bashkësisë Politike Evropiane, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, thekson se prioriteti në këtë fushë kryesisht do të jetë në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. Në dokument po ashtu thuhet se “ne kemi nevojë të jemi shumë vigjilentë të mos lejojmë që njerëzit të zonave në konflikt të bëhen mjete në duart e regjimeve armiqësore në një luftë hibride. Ne po ashtu duhet të jemi të vendosur për të luftuar fenomenin kur aktorët joshtetërorë me apo pa vullnet bëhet bashkëpunëtorë të organizatave kriminale”.

Ideja kontroverse e dërgimit të njerëzve që nuk kanë fituar azil në BE në të ashtuquajturat “qendra të kthimit” jashtë BE-së do të diskutohet, teksa dokumenti thotë se “ne duhet të sigurohemi për një mekanizëm të qëndrueshëm për kthim efektiv, veçmas për largimin e atyre që paraqesin kërcënim serioz për rendin publik apo sigurinë e brendshme. Ne duhet të vazhdojmë të eksplorojmë sa më shumë zgjidhje inovative, përfshirë idenë e zhvillimit të qendrave të kthimit jashtë Evropës”.

Megjithatë, çështja më kontroverse para samitit është një dokument, i hartuar nga Michel, që titullohet “Deklarata e Budapestit për marrëveshjen e re të konkurrencës evropiane”. Në draftin e këtij dokumenti, të cilin e ka parë REL-i, që Michel shpreson se do ta mbështesin udhëheqësit, thuhet se pjesa e BE-së për Bruto Prodhimin e Brendshëm botëror (GDP) është përgjysmuar gjatë dy dekadave të fundit, se çmimet me pakicë për energjinë elektrike për industrinë në BE ishin tre herë më të larta sesa në ekonomitë e tjera të mëdha të botës. Aty po ashtu thuhet se “sa i përket GDP-së, BE-ja shpenzon një të tretën më pak për kërkim dhe zhvillim sesa ekonomitë kryesore në Organizatën për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim [OECD]”.

Kjo është kontroverse sepse disa shtete anëtare të BE-së mendojnë se dokumenti prej 10 faqesh është shumë i gjatë. Disa janë të zemëruar se në të përmendet buxheti i ri i BE-së (për të cilin gjithmonë ka diskutime lidhur me atë se kush sa paguan) dhe të tjerët janë të mërzitur që dokumenti përmend konvergjencën në tatimet, një tjetër çështje e ndjeshme. Të tjerët po ashtu janë të pakënaqur me atë që dokumenti nuk përfshin: për shembull, mbështetjen për energjinë bërthamore apo që Evropa të rrisë shpenzimet për mbrojtje.

Ka një listë të gjatë ankesash dhe kjo ilustron problemin e kamotshëm të Brukselit rreth gjetjes së pajtimit për çdo gjë. Sikurse tha një diplomat, që dëshiroi të mbetej anonim: “Ne jemi në një mjedis global armiqësor, në të cilin me të drejtë kemi identifikuar se na duhet të bëhemi më konkurrues në çdo nivel, por ne ngecim duke debatuar për presje dhe pika në një dokument që pak njerëz e lexojnë”./REL



Lexoni të gjitha në Bota Sot