“NATO është një ndërmarrje kriminale”, Vulin lëshon mesazhe të forta nga shtëpia ruse në Beograd

- Bota Sot

“NATO është një ndërmarrje kriminale”, Vulin lëshon mesazhe të forta nga shtëpia ruse në Beograd

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, nga shtëpia ruse në Beograd ka deklaruar se NATO-ja është një ndërmarrje kriminale. I sanksionuari nga SHBA-të mes tjerash ka deklaruar se Serbia asnjëherë nuk do të jetë pjesë e kësaj aleance.  

Vetëm disa muaj më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, pati deklaruar se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova.

Kjo deklaratë e diplomatit amerikan krijoi bujë në opinion publik serb.

Por për këtë çështje ndryshe mendon njëri nga njerëzit më të afërt të Vuçiqit, Aleksandar Vulin.

Për zv.kryeministrin serb, NATO-ja është një ndërmarrje kriminale dhe se Serbia sipas tij asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e kësaj aleance.

“Ndërmarrja kriminale e NATO-s kundër serbëve dhe Serbisë nuk filloi me bombardimin e RF të Jugosllavisë në vitin 1999, por shumë më herët dhe vazhdon edhe sot. Askush nuk pyeti se kur filloi, pse filloi. Bota unipolare atëherë ishte në kulmin e saj, por ky ishte edhe fillimi i fundit të saj”, tha Vulin.

Njohësi i çështjeve politike, Belgzim Kamberi, thotë se këto deklaratat të Vulinit e pasqyrojnë më së miri politikën që e përfaqëson presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Presidenti Aleksandar Vuçiq është njeriu më i pushtetshëm në Serbi. Ai e përdor Aleksandar Vulinin për këtë diskursin dhe narracionin anti-perëndimor, anti-NATO, anti-amerike, pro-rusi dhe të botës ashtuquajtur serbe. Ndërkaq në anën tjetër, Vuçiq njëkohësisht bashkëpunon edhe me NATO-n dhe me SHBA-të”, tha Kamberi.

Sipas Kamberit çdo herë kur ka protesta në Serbi, Vuçiq është i interesuar të krijoi drama të tilla përmes figurave si Vulin.

“Në ato momente kur Vuçiq qëndron keq me pushtetin e tij, ai e përdor ultra-nacionalizmin anti-perëndimor dhe gjendjen anti-NATO siç po e shohim tash. Pas ngjarjes tragjike në Novi Sad ku disa persona gjetën vdekjen për shkak të shembjes së stacionit hekurudhor,  kemi protesta masive në Serbi dhe tani Vuçiqit i intereson vetëm ta zhvendos vëmendjen përmes deklaratave të tilla”, tha ai.

Ndryshe, Aleksandar Vulin, i cili njihet për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vulin mes tjerash akuzohet për transport të paligjshëm armësh, trafik droge dhe keqpërdorim të posteve publike.



Lexoni të gjitha në Bota Sot