Protestuesit në rajonin separatist të Abkhazisë në Gjeorgji refuzojnë të largohen nga parlamenti

- Bota Sot

Protestuesit në rajonin separatist të Abkhazisë në Gjeorgji refuzojnë të largohen nga parlamenti

Protestuesit në rajonin separatist të Gjeorgjisë, Abkhazi, që mbështetet nga Moska, refuzuan të shtunën të largoheshin nga ndërtesa e parlamentit, një ditë pasi ata mësynë në godinë, për të kundërshtuar një marrëveshje në fushën e ndërtimit me Moskën. Largimi i protestuesve ishte vënë si kusht nga Presidenti i rajonit, Aslan Bzhania për të dhënë dorëheqjen.

Protestuesit kanë bllokuar parlamentin në shenjë proteste ndaj një marrëveshjeje investimesh me Rusinë. Sipas njoftimeve të agjencisë ruse të lajmeve RIA, Presidenti Bzhania është shprehur të shtunën se do të dorëhiqej dhe do të thërriste zgjedhjet e parakohshme, menjëherë pasi protestuesit të largoheshin nga parlamenti i kryeqytetit të Abkhazisë, Sukhumi dhe se kishte propozuar që nënpresidenti të merrte përkohësisht drejtimin e rajonit.

“Kur ata të largohen nga ndërtesa, do të firmos dorëheqjen dhe në zgjedhjet e reja do të shohim se sa mbështetje kanë”, citohet të jetë shprehur zoti Bzhania.

Ai ka njoftuar se do të kandidojë në zgjedhje. Protestuesit u shprehen përmes një deklarate se akti i bllokimit nuk ishte kundër lidhjeve të ngushta të Abkhazisë me Rusinë, por akuzuan Presidentin Bzhania se “po përpiqej të shfrytëzonte këto marrëdhënie për interesat e tij të ngushta dhe se po i manipulonte me qëllim forcimin e regjimit të tij”. Rusia tha se po ndiqte me shqetësim gjendjen.

Rusia e njohu Abkahzinë dhe Osetinë e Jugut si shtete të pavarura në vitin 2008, pas mundi Gjeorgjinë në një luftë që zgjati 5 ditë. Shumica e vendeve të botës e njohin Abkhazinë si pjesë të Gjeorgjisë, nga e cila ajo u shkëput gjatë luftërave në fillim të viteve ’90./VOA



Lexoni të gjitha në Bota Sot