Shtetet baltike janë zotuar të vazhdojnë në vitin 2025 mbështetjen financiare dhe materiale për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Një pjesë e kësaj mbështetjeje vjen nga Koalicioni i Dronëve, që drejtohet nga Letonia.
Biznesmeni Ivan Tolchinsky është nga Ukraina, por ai jeton në Letoni, ku drejton kompaninë letoneze të prodhimit të dronëve, “Atlas”.
“Ne po prodhojmë një dron, që peshon 250 gram dhe është i pajisur me dy kamera, njëra për operacione ditore dhe tjetra me teknologji infra të kuqe për operacione gjatë natës. Klientët tanë kryesorë tani janë Gjermania, Holanda dhe Britania, të cilat po planifikojnë një prokurim mjaft të madh”, thotë ai.
Kjo fabrikë e vogël në kryeqytetin e Letonisë, Riga, punon kryesisht me vendet e NATO-s, por zoti Tolchinsky thotë se kompania e tij ka dërguar gjithashtu mbi 1000 dronë në Ukrainë.
"Më në fund, të gjithë e kuptojnë se dronët janë të rëndësishëm dhe janë bërë një armë me përdorim të gjerë", thotë ai.
Elina Egle, kryetare e bordit të Federatës së Industrive të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Letonisë, së fundmi mori pjesë në një panair ushtarak në Shtetet e Bashkuara, ku u diskutua për dronët. Ajo thotë se kompanitë e prodhimit të dronëve po nxjerrin mësime të rëndësishme nga lufta në Ukrainë.
“Përmes kontakteve të përditshme me njësitë ushtarake ukrainase, ne marrim informacione të rëndësishme mbi teknologjitë më të fundit, përmirësimin e tyre dhe trajnimin e ushtrive për përdorim më efikas të dronëve", thotë ajo.
Letonia propozoi nismën për themelimin e Koalicionit të Dronëve, të cilën e koordinon së bashku me Britaninë. Koalicioni, i krijuar zyrtarisht në shkurt, synon të furnizojë ushtrinë ukrainase me dronë. Dymbëdhjetë shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Kanadanë, përpiluan një plan ambicioz për prodhimin e dronëve.
“Secili vend është krenar për industrinë e prodhimit të dronëve, por vetëm të bashkuar mund të përparojmë në një shkallë më të madhe në këtë sektor. Koalicioni ka deklaruar publikisht se dëshiron të prodhojë një milion dronë për Ukrainën”, thotë zonja Egle.
Bizmensmeni Ivan Tolchinsky po jep kontributin e tij në këtë drejtim. Kompania e tij, e cila deri më tani ka prodhuar dronë zbulimi, së shpejti do të prodhojë edhe dronë luftarakë.
“Sot, dronët luftarakë pëlqehen shumë dhe përdoren për të sulmuar pajisjet e armikut, forcat e tyre, gjithçka! Dronët kushtojnë sa mortajat, por janë shumë më të saktë”, thotë ai.
Operatorët ukrainas të dronëve po testojnë gjithashtu dronët e prodhuar në Letoni. Inxhinierët në Letoni thonë se kjo është e rëndësishme, sepse ukrainasit e dinë saktësisht se si duhet të operohen dronët në fushën e betejës.
“Dronët që janë të mirë sot mund të jenë të papërdorshëm nesër, sepse armiku mëson se si ti luftojë ata. Pra, prodhuesit tanë monitorojnë zhvillimet më të fundit dhe çdo prokurim i ri është i ndryshëm nga ai i fundit”, thotë Juris Ushatskis, zyrtar i ministrisë letoneze të mbrojtjes.
Në vitin 2025, Letonia planifikon të ndajë rreth 21 milionë dollarë për blerje të dronëve për Ukrainën dhe për të trajnuar operatorët ushtarakë ukrainas./VOA