Moska paralajmëron, aleatët perëndimorë mirëpresin vendimin amerikan për t’i lejuar Ukrainës të godasë Rusinë

- Bota Sot

Moska paralajmëron, aleatët perëndimorë mirëpresin vendimin amerikan për t’i lejuar Ukrainës të godasë Rusinë

Ndërkohë që lufta e Rusisë ndaj Ukrainës po hyn në ditën e 1000, vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara për t’i lejuar Ukrainës përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva në brendësi të Rusisë, u prit sot me paralajmërime nga Moska dhe u mirëprit nga aleatët perëndimorë të Kievit. Vendimi i Presidentit Joe Biden për t’ia lehtësuar Ukrainës kufizimet rreth përdorimit të armëve amerikane ndaj Rusisë pas disa muajsh rezistencë, shënon një kthesë të rëndësishme në politikën amerikane, por ndikimi i tij për t’i dhënë fund luftës ende mbetet i paqartë.

Vendimi i Presidentit Joe Biden për të lejuar Ukrainën që të godasë objektiva në brendësi të Rusisë me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi, erdhi në ditën kur një raketë balistike ruse goditi një vendbanim në qytetin verior ukrainas Sumy, duke shkaktuar vdekjen e 11 personave, përfshirë 2 fëmijë dhe duke plagosur 84 të tjerë.

Të hënën, dy ndërtesa banimi në Odesa, në jug të Ukrainës, u përfshinë nga zjarri pas një sulm tjetër rus me raketa. Të paktën 8 persona humbën jetën dhe 18 të tjerë u plagosën.

Vendimi amerikan u mirëprit nga Ukraina, ndonëse me reagim të përmbajtur.

“Sot Rusia ndërmori njëri prej sulmeve më të mëdha dhe më të rrezikshme të luftës, përfshirë me raketa hipersonike dhe balistike... Rusia po bën të njëjtën gjë prej gati 1000 ditësh dhe është e domosdoshme të mbrohemi, të jemi të fuqishëm. Nuk duhet shpenzuar kohë për të biseduar me dikë në Moskë, por për ta detyruar Rusinë që t’i jap fund luftës”, deklaroi Presidenti ukrainas Zelensky përmes një videoje të dielën mbrëma.

Zyrtarët amerikanë njoftuan të dielën se Uashingtoni po heqë disa nga kufizimet mbi objektivat që Ukraina mund t’i godasë me armët amerikane. Ky vendim u mor pas shumë muajsh kundërshtimi nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të shqetësimeve se një veprim i tillë do të përshkallëzonte konfliktin dhe do të nxiste një konfrontim të drejtpërdrejtë ndërmjet Rusisë dhe NATO-s.

Mbetet e paqartë se cilat janë rregullat e reja të përcaktuara nga Uashingtoni. Ndryshimi erdhi pasi Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe NATO njoftuan së fundmi se trupat e Koresë së Veriut janë dislokuar në Rusi dhe se po dërgohen në rajonin e Kurskut për të luftuar kundër forcave ukrainase nga ky rajon kufitar brenda territorit rus.

Vendimi i Presidentit Biden u mirëprit si i domosdoshëm nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara është vendim i rëndësishëm për përkrahjen ushtarake Ukrainës, por shtoi se ai nuk sinjalizon ndryshim të strategjisë së Perëndimit.

“Ne po japim gjithnjë e më shumë përkrahje në mbrojtje të paqes në Ukrainë, sidomos në aspektin e mbrojtjes ajrore. Vendimi i palës amerikane, që nuk është një rishqyrtim, por një intensifikim i asaj që tashmë është dhënë nga partnerët e tjerë, është shumë i rëndësishëm në këto momente. Agresioni i Putinit është sulm edhe ndaj lirisë tonë në Evropë dhe cënon interesat thelbësore të të gjitha shteteve evropiane”, deklaroi ajo.

Ministri i jashtëm i Lituanisë Gabrielius Landsbergis e quajti atë vendimin e duhur.

“E pamundura u bë e mundur. Shpresoj që gjërat që tani nuk janë të mundura, siç janë garancitë për sigurinë e Ukrainës, të bëhen realitet sa më parë”, deklaroi ai.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dimtry Peskov tha se një hap i këtillë “ndryshon rrënjësisht modalitetin e angazhimit të tyre në konflikt”. Ai iu referua një deklarate të presidentit rus në të cilën ai thoshte se nëse Ukrainës i lejohet të godasë Rusinë, konflikti do të përshkallëzohet dukshëm.

Zëdhënësi Peskov tha se “është e qartë që administrata në Uashington synon t’i herdhë benzinë zjarrit dhe të provokojë përshkallëzimin e tensioneve rreth këtij konflikti”.

Vendimi i Presidentit Biden vjen në fund të mandatit të tij dhe dy javë pas zgjedhjes së Presidentit republikan Donald Trump për një mandat të ri në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i zgjedhur Trump, i cili e fillon detyrën pas dy muajsh, ka ngritur paqartësi nëse do ta vazhdojnë përkrahjen amerikane për Ukrainën dhe është zotuar se do t’i japë fund luftës.

Analisti James Nixey, drejtor i programit për Rusinë dhe Euroazinë në institutin “Chatham House” në Londër, e quajti vendimin e administratës së zotit Biden si një hap të rëndësishëm, por sipas tij, ky hap nuk pritet ta ndryshojë situatën.

“Ky është një hap dramatik, ngaqë u jep ukrainasve mundësinë që të qëllojnë pika me të vërtetë të rëndësishme ushtarake dhe infrastrukturore në brendësi të Rusisë dhe kjo patjetër se do të ketë një ndikim në aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftën. Por nuk do të thotë që Ukraina do ta fitojë luftën menjëherë, ose në të ardhmen e afërt. Për ta fituar luftën Ukraina, perëndimi duhet të bëjë shumë më shumë se tani që ta shtrëngojë Rusinë”, thotë ai.

Mike Waltz, i emëruar nga zoti Trump, si këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, në një reagim për televizionin amerikan Fox News nuk e komentoi drejtpërdrejt vendimin e Presidentit Biden, por theksoi se presidenti i ri amerikan ka një vizion më të mirë për t’i dhënë fund luftës./VOA



Lexoni të gjitha në Bota Sot