Moska zotohet të përgjigjet nëse Kievi përdor raketat amerikane me rreze të gjatë për të goditur territorin rus

- Bota Sot

Moska zotohet të përgjigjet nëse Kievi përdor raketat amerikane me rreze të gjatë për të goditur territorin rus

Rusia zotohet të përgjigjet nëse Ukraina përdor raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur territorin e saj.

Në një përgjigje ndaj vendimit të raportuar se presidenti amerikan Joe Biden i ka dhënë Ukrainës leje për të lëshuar raketa ATACM në Rusi, një zëdhënës i ministrisë së jashtme ruse paralajmëron për një “përgjigje të përshtatshme” nëse raketa të tilla lëshohen në territorin rus, shkruan BBC.

“Përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi nga Kievi për të sulmuar territorin tonë do të përfaqësonte përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara dhe satelitëve të saj në armiqësitë kundër Rusisë, si dhe një ndryshim rrënjësor në thelbin dhe natyrën e konfliktit”, thuhet në një deklaratë.

“Përgjigja e Rusisë në një rast të tillë do të jetë e përshtatshme dhe e prekshme”, shton ai.

Mediat në SHBA raportuan dje se presidenti amerikan Joe Biden i ka dhënë ‘dritën jeshile’ Ukrainës që të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA për të goditur Rusinë, sipas raportimeve të mediave amerikane.

Armët ka të ngjarë të përdoren fillimisht kundër trupave ruse dhe koreano-veriore në mbrojtje të forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë perëndimore, thanë zyrtarët, shkruan BBC.

Ky vendim i presidentit Biden përbën një ndryshim të madh në politikën amerikane, raporton New Tork Times.

Lejimi i ukrainasve të përdorin raketat me rreze të gjatë, të njohura si Sistemet Raketore Taktike të Ushtrisë, ose ATACMS, erdhi si përgjigje ndaj vendimit të befasishëm të Rusisë për të sjellë trupat e Koresë së Veriut në luftë, thanë zyrtarët.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar prej muajsh që këto kufizime për raketat me rreze të gjatë veprimi të hiqen, duke lejuar Ukrainën të synojë zonat brenda Rusisë.

Rusia ndërmori një nga sulmet më të mëdha raketore që nga fillimi i luftës, duke synuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës brenda natës. Të paktën 10 persona u vranë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i përshkroi sulmet ajrore si një “goditje masive të kombinuar në të gjitha rajonet” që synon të dëmtojë infrastrukturën energjetike të vendit.

Rusia tha se kishte në shënjestër “infrastrukturën thelbësore të energjisë që mbështet kompleksin ushtarako-industrial ukrainas”.

Vendet fqinje siç janë Rumania dhe Moldavia akuzuan Rusinë për përpjekje të qëllimshme për të vendosur kushte ngrirjeje në Ukrainë gjatë dimrit, me një deputet ukrainas që tha për BBC se Rusia kreu sulme të ngjashme në prag të dimrit të vitit të kaluar.

Kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë tha se sulmet shkaktuan “dëme të konsiderueshme” në termocentralet e saj të energjisë termike dhe disa zona u ndërprenë nga rrjeti elektrik si pasojë.

Guvernatori i rajonit të Odesa-s, Oleh Kiper tha se ka pasur gjithashtu ndërprerje në furnizimin me ngrohje dhe ujë, megjithëse ky i fundit po rikthehej gradualisht.



Lexoni të gjitha në Bota Sot