Fermerët francezë e gjermanë protestojnë ndaj marrëveshjes së BE për të sjellë prodhimet nga Amerika Latine

- Bota Sot

Fermerët francezë e gjermanë protestojnë ndaj marrëveshjes së BE për të sjellë prodhimet nga Amerika Latine

Fermerët francezë nisën sot një valë të re protestash kundër një marrëveshjeje tregtare të Bashkimit Evropian me katër vende të Amerikës Latine për të importuar prodhime bujqësore, çka kërcënon mbijetesën e fermerëve evropianë por dhe uljen e cilësisë se ushqimit per qytetaret e tyre.

Parisi ka kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes bujqësore me grupin e vendeve Mercosur Argjentina, Brazili, Paraguai e Uruguai, për të krijuar “zonën e lirë tregtare” por zyrtarët e BE duken të vendosur ta bëjnë realitet.

Fermerët në Francë e Gjermani bllokuan sot rrugët me traktorë dhe ngrinin kryqe të drunjta në disa qytete të vendeve.

“Mjaft me premtime, nisi të veproni”, shkruante një prej pankartave të fermerëve në Cannet-des-Maures, në juglindje të Francës.

“Macron, bujqësia e Francës po vdes kurse ti shikon tjetërkund,” shkruante një tjetër.

Në qytetin lindor të Lyon, fermerët kishin shkulur tabelat e bashkisë dhe i kishin hedhur ato në shkallët e muzeumit të qytetit.

Yohann Barbe, përfaqësues i sindikatës së fermerëve tha se masa e protestave do të jetë “e paprecedentë”.

Vala e re e protestave vjen pas një serie masash rezistence nga fermerët në Evropë, të cilët kanë protestuar me pare për kërkesat e reduktimit të prodhimit dhe numrit të kafshëve nga direktivat e klimës së BE.

Vështirësimi i jetës e punës së fermerëve në Francë vjen gjithashtu nga shtimi i burokracive, të ardhurat e ulëta dhe moti i dëmshëm për kulturat e tyre bujqësore.

Me marrëveshjen e re, BE propozon që tregjet evropiane të furnizohen nga prodhime më të lira duke hequr dorë nga rregullat evropiane për përdorimin e pesticideve të dëmshme, hormoneve dhe teknikave të ndaluara.

Ministri i brendshëm francez Bruno Retailleau paralajmëroi fermerët kundër bllokimit të rrugëve duke thënë se do të ketë “zero tolerance”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot