BE paralajmëron mbështetësit e Rusisë

- Bota Sot

BE paralajmëron mbështetësit e Rusisë

Në konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së Josep Borrell shprehu shqetësimin për rolin në rritje të Kinës në luftën në Ukrainë. Sipas tij vihet re një rritje e furnizimeve kineze sidomos me të ashtuquajtura mallra me përdorim të dyfishtë - pra që mund të përdoren si për qëllime paqeje ashtu edhe për qëllime lufte.

"Pa Korenë e Veriut, pa Iranin, pa Kinën, Rusia nuk do të mund ti vazhdonte përpjekjet e saj ushtarake”, tha Borrell. Ai tha se ishte i shqetësuar edhe për njoftimet se këto tri vende e furnizojnë Rusisë me sisteme të plota armësh.

Në prag të takimit u bë e ditur se BE-ja kishte marrë raporte nga shërbimet sekrete për një fabrikë armësh në Kinë, e cila mendohet se e furnizon Rusinë me dronë për luftën kundër Ukrainës. Një zyrtar i lartë i BE-së, tha megjithatë se për këtë ende nuk ka prova të qarta. Brukseli mendon se është e pamundur që një kompani e tillë të mund të veprojë pa dijeninë e udhëheqjes kineze.

Hapa më të ashpër kundër Kinës

Qeveria kineze hedh poshtë çdo akuzë. Në konferencën e tij për shtyp, Josep Borrelli nuk e komentoi më konkretisht përmbajtjen e raporteve të shërbimeve sekrete. Megjithatë ministrat e Jashtëm të BE-së po mendojnë tani për të ndërmarrë hapa më të ashpër kundër Kinës. "Ndihma kineze me dronë” duhet dhe do të ketë pasoja, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Homologja e saj finlandeze, Elina Valtonen, bëri të qartë se nuk mund të ketë më "business as usual" në tregtinë me Kinën nëse rezulton se vendi po komprometon sigurinë e Evropës.

Lidhur me Iranin ministrat e Jashtëm i zgjeruan sanksionet e BE-së që ekzistojnë tashmë kundër Teheranit për shkak të mbështetjes ushtarake për Rusinë. Ndër të tjera ato parashikojnë ndalimin e eksportit të çdo produkti që mund të përdoret për prodhimin e dronëve dhe të raketave. Sanksionet e reja kanë gjithashtu gjithnjë e më shumë në shënjestër rrugët e transportit: që përfshijnë dy porte në Detin Kaspik, si dhe kompani transporti ruse dhe iraniane që përdoren për transport.

Ministrat e Jashtëm përshëndesin vendimin e SHBA-së për raketat

Uashingtoni vendosi që ti lejojë Ukrainës të përdorë raketa me rreze veprimi deri në 300 kilometra edhe në territorin rus, sidomos në zonën perëndimore të Rusisë, në rajonin e Kurskut. Një zëdhënës i qeverisë amerikane as e konfirmoi dhe as e mohoi këtë, njofton agjencia gjermane e lajmeve dpa. Ky hap u përshëndet nga shumica e ministrave të Jashtëm të BE-së.

 

Përveç SHBA-së Ukrainën e kanë furnizuar me raketa me rreze të gjatë veprimi edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Deri tani asnjë vend nuk e ka lejuar zyrtarisht Ukrainën ti përdorë ato për të sulmuar objektiva ushtarakë në territorin rus. Kjo mund të ndryshojë si rezultat i vendimit të SHBA. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot përsëriti se edhe vendi i tij po e shqyrton dhënien e një lejeje të tillë. Presidenti Emmanuel Macron e bëri të qartë këtë në maj, theksoi Barrot.

Kritika pati nga pala hungareze. Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto e quajti vendimin "jashtëzakonisht të rrezikshëm". Hungaria konsiderohet si aleati më i afërt i Rusisë brenda BE-së dhe rregullisht bllokon ndihmat për Ukrainën. Kurse ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se armët e dërguara në Ukrainë nga Italia mund të përdoren vetëm në tokën ukrainase, njofton AFP-ja./DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot