Mbrëmë është kompletuar faza e grupeve në Ligën e Kombeve, natyrisht me përjashtim të ndeshjes së ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës.
Nga ky edicion është përfshirë edhe faza e “play-offit”, ku sipas të gjitha gjasave do të marrë pjesë edhe Kombëtarja e Kosovës.
Dardanët do ta mbyllin Grupin 2 të Ligës C në vendin e dytë, prandaj edhe do të luajnë në këtë fazë për ta kërkuar inkuadrimin në Ligën B.
Në fazën e “play-off” do të bëjnë pjesë katër Kombëtare që përfunduan në vendin e dytë në grupet përkatëse të Ligës C dhe katër të tjera që përfunduan në vendin e tretë në grupet e tyre në Ligën B.
Shorti për “play-off” do të hidhet këtë të premte nga ora 12:00, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të luhen vitin tjetër, më saktësisht më 20 dhe 23 mars 2025.
Pasi Shqipëria përfundoi e katërta në grupin e saj dhe ra në Ligën C, tashmë janë zbuluar edhe emrat e katër kundërshtarëve të mundshëm të Dardanëve.
Bëhet fjalë për Gjeorgjinë, Slloveninë, Islandën dhe Irlandën, katër Kombëtare të mundshme këto për ta sfiduar ekipin e Franco Fodës.
Kosova i regjistroi 4 fitore dhe e pësoi 1 humbje në Grupin 2 të Ligës C duke i grumbulluar 12 pikë, tri më pak se liderja, Rumania.
E UEFA do të vendosë me gjasë nesër për ndeshjen e ndërprerë në Bukuresht të premten e kaluar mes Rumanisë dhe Kosovës.
Synim i Dardanëve ishte ta mbyllnin grupin në vendin e parë, por me gjasë do të përfundojnë në atë të dytë./GS