Papa Françesku dha udhëzime se si ta varrosin

- Bota Sot

Papa Françesku dha udhëzime se si ta varrosin

Papa Françesku deklaroi se kur të vijë koha, dëshiron të varroset në një arkivol të thjeshtë prej druri.

Në një dokument të ri ceremonial të publikuar të mërkurën, më 20 nëntor, Vatikani njoftoi se Papa Françesku dëshiron të shmangë traditën e varrosjes së papëve në tre arkivole të lidhura së bashku, prej druri selvi, lisi dhe plumbi.

Në vend të kësaj, ai dëshiron të varroset në një arkivol të thjeshtë të veshur me zink, raportoi agjencia reuters.

Papa gjithashtu ka vendosur që trupi të mos ekspozohet mbi një piedestal të ngritur në Bazilikën e Shën Pjetrit, siç ka ndodhur me Papët e mëparshëm, për t’u nderuar nga vizitorët. Në vend të kësaj, trupi i tij do të qëndrojë në arkivol me kapakun e hapur.

Ai ka shprehur dëshirën të varroset në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë.

Papa i fundit që është varrosur jashtë Vatikanit ishte Papa Leoni XIII, i cili vdiq në vitin 1903 dhe u varros në Bazilikën e Shën Gjonit të Lateranit.

Papa Françesku, i cili më 17 dhjetor do të mbushë 88 vjeç, kohët e fundit ka pasur probleme shëndetësore. Për shkak të dhimbjeve në gjunjë dhe shpinë, ai përdor karrocë invalidi. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot