Rumani, kandidati pro-rus kryeson në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale

- Bota Sot

Rumani, kandidati pro-rus kryeson në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale

Një kandidat i së djathtës së skajshme pro-ruse arriti një epërsi të papritur të hënën në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, pasi kryeministri pro-evropian u eliminua nga gara, që do të vendoset përfundimisht me një balotazh në dhjetor. Rumania, një vend anëtar i NATO-s, u ishte shmangur deri më tani prirjeve nacionaliste, në dallim nga vendet fqinje Hungaria dhe Sllovakia.

Rezultati i raundit të parë është një tërmet politik për vendin me një popullsi prej 19 milionë banorësh.

Kandidati i së djathtës së skajshme Calin Georgescu (Kalin Gjeorgjesku) radhitet në vendin e parë me 22.95 përqind të votave, i pasuar nga Elena Lasconi, kryebashkiakja e qendrës së djathtë e një qyteti të vogël.

Kryeministri pro-evropian Marcel Ciolacu ishte në vendin e tretë me 19.15 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, pas numërimit të 99 për qind të votave, duke e eliminuar atë kështu nga balotazhi që do të mbahet më 8 dhjetor.

Megjithëse anketimet nuk e shfaqnin fitues kandidatin e së djathtës së skajshme, Calin Georgescu, ai bëri një fushatë të gjerë në rrjetin TikTok duke bërë thirrje që ti jepej fund ndihmës për Ukrainën. Ai ka përdorur gjithashtu tone skeptike në lidhje me anëtarësinë e Rumanisë në NATO.

Në zonën rurale në rrethinat e Bukureshtit banorët nuk shprehen të befasuar.

“Jam e lumtur që Georgescu është i sinqertë. Po përballet me realitetin dhe i uroj fat”, thotë Luminita, banore në Izvorani.

“Kushdo që të dalë fitimtar do të ketë shumë punë për të bërë, pasi të gjithë në të kaluarën e shitën vendin. Bujqësia dhe industria janë në gjendje të keqe, gjithçka ka rënë”, thotë banori Alexandru Stelu.

“Mendoj se nuk do të ndryshojë gjë. Shpresojmë të ketë diçka të re –të kemi të paktën ujë të pijshëm dhe kanalizime. Dhe me shpresën që do kemi ku të parkojmë makinat. Nuk e di nëse do të ndodhë diçka e tillë”, thotë banori Oprea Marian.

Në të kaluarën, kandidati i së djathtës së largët Georgescu e ka quajtur “një turp të diplomacisë” sistemin e NATO-s për mbrojtjen me raketa të instaluar në qytetin rumun Deveselu. Ai gjithashtu është shprehur se NATO-ja nuk do të mbrojë ndonjë nga vendet anëtare në rast se sulmohet nga Rusia.

Presidenti në Rumani ka një rol gjysmë-ekzekutiv, që i jep ndër të tjera zë në përcaktimin e buxhetit të mbrojtjes. Kjo temë pritet të bëhet edhe më e vështirë, pasi Bukureshti do të gjendet nën trysni nga administrata e ardhshme amerikane për të përmbushur zotimet për shpenzimet në fushën e mbrojtjes./VOA



Lexoni të gjitha në Bota Sot