Ambasadori Ajeti uron shqiptarin që u zgjodh kryetar bashkie në Gjermani

- Bota Sot

Ambasadori Ajeti uron shqiptarin që u zgjodh kryetar bashkie në Gjermani

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka uruar Arianit Besirin për zgjedhjen e tij si kryetar bashkie në Gjermani, duke shkruar se ai ka shkruar histori me fitoren e tij.

Ajeti shkroi se kjo fitore shënon një precedent të rëndësishëm në historinë gjermane.

“Një lajm i mrekullueshëm nga diaspora jonë! Fitorja e Arianit Besirit në zgjedhjet për kryetar të komunës në Morbach në landin Rheinland-Pfalz shënon një moment të veçant, jo vetëm për mërgatën tonë në Gjermani, por edhe për integrimin e tyre. Marrja e 60.2% të votave në një komunë gjermane me rreth 11,000 banorë është një dëshmi e qartë e besimit dhe mbështetjes që Arianiti ka fituar nga komuniteti lokal”.

“Kjo fitore shënon një precedent të rëndësishëm në historinë gjermane: një shqiptar nga Mitrovica zgjidhet për herë të parë kryetar komune. Arianiti, i cili ishte vetëm një vjeç kur familja e tij u shpërngul nga Kosova si pasojë e represionit serb, ka arritur një sukses që frymëzon të gjithë shqiptarët”, ka shkruar ai.

Ajeti tha se fitorja e Arianitit nuk është thjesht një arritje personale, por siç u shpreh ai, një mesazh i fuqishëm për diasporën shqiptare dhe brezat e ardhshëm.

“I angazhuar prej vitesh në politikën gjermane, Arianiti ka qenë aktiv në kuadër të SPD-së dhe së fundmi duke shërbyer si bashkëpuntor shkencor tek deputeti Lars Castellucci, kryetar i Komisionit për Politikë të Brendshme në Bundestagun gjerman”.

“Fitorja e tij nuk është thjesht një arritje personale, por një mesazh i fuqishëm për diasporën shqiptare dhe brezat e ardhshëm: suksesi dhe përkushtimi nuk njohin kufij kombëtarë. Shqiptarët, kudo që ndodhen, mund të kontribuojnë në mënyrë të fuqishme në çdo nivel të shoqërisë. Urime Arianit! Një histori suksesi që na bën të gjithëve krenarë”, shkroi tutje Ajeti.



Lexoni të gjitha në Bota Sot