Kryeparlamentari i Malit të Zi i referohet Kosovës si “administratë”, kërkon lirimin e 3 shtetasve të tij

- Bota Sot

Kryeparlamentari i Malit të Zi i referohet Kosovës si “administratë”, kërkon lirimin e 3 shtetasve të tij

Kreu i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili njihet për qëndrimet e tij pro-ruse dhe lidhjet e ngushta me Aleksander Vuçiqin dhe Millorad Dodikun, ka thënë sot se Republika e Kosovës duhet të lirojë tre shtetasit malazezë të cilët janë arrestuar dhe u është caktuar masa e ndalimit prej 30 ditëve pasi gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit kishin të shkruar në targa të veturave “Kosova është Serbi”.

Mandiq i cili njihet edhe për qëndrimin e tij anti-Kosovë, i është referuar Republikës së Kosovës si “administrata në Prishtinë” dhe ka kërkuar që 3 shtetasit malazezë të lirohen sa më shpejt meqë sipas tij s’ka asnjë arsye që ata të ndalohen dhe dënohen.

“Mali i Zi i bën thirrje administratës së Prishtinës dhe këmbëngul që tre qytetarët e saj të lirohen sa më shpejt, sepse nuk ka asnjë arsye që besimtarët e Kishës Ortodokse Serbe që vizituan faltoret tona në Kosovë të ndalohen dhe të dënohen me pretekste të tilla të mjerueshme”, ka thënë Mandiq për “Politika”

Policia e Kosovës i ka arrestuar tre persona nga Nikshiçi për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Dy ditë pasi u ndaluan, Gjykata Themelore në Pejë urdhëroi një muaj paraburgim për Rajko Krivokapiçin 34 vjeç, Marinko Jovanoviçin 24 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviçin 24 vjeç.

Prokurori në Pejë i akuzon ata për veprën penale “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot