Zubin Potok, sulm në infrastrukturë/ Nura: Ja si duhet lexuar qëndrimi i Ramës

- Bota Sot

Zubin Potok, sulm në infrastrukturë/ Nura: Ja si duhet lexuar qëndrimi i Ramës

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare të akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Kjo ngjarje ka shkaktuar valë reagimesh, ndërsa Serbia ka mohuar të jetë përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

Analisti Artur Nura, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News tha se kjo ngjarje lë dyshime se Moska mund të jetë prezente me ndikimin e saj. Ai theksoi se akte të tilla sabotazhi nuk po ndodhin vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera në Evropë.

“Edhe dora ruse duket se e tejkalon pushtetin serb, është më e gjatë. Ky sulm po ndodh jo vetëm më Kosovë”, tha ai.

Për Nurën, kjo ngjarje dëshmoi se është nevojë emergjente, që kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të rregullojë marrëdhëniet me aleatët e huaj.

“Kurti duhet të rregullojë marrëdhëniet me aleatët e huaj. Duhet prezenca e KFOR. Dialogu është i rëndësishme me zonjën Osmani, për ambasadorët e QUINT”, theksoi ai.

Këtë ngjarje e ka dënuar dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti një “akt sabotazhi” dhe përgjegjësit e tij shtoi ai duhet të dalin para drejtësisë.

Ai i ka bërë thirrje BE-së që të heqë sanksionet ndaj Kosovës dhe të riorganizoi formatin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Analisti Nura tha se me këtë qëndrim, kryeministri Edi Rama i “tërheq veshin” BE dhe i kërkon të tregohet më e matur në raport me Kosovën.

“Tregon shumë për qëndrimin e Tiranës, por edhe për marrëdhënien mes dy kryeministrave, por ka dhe një avancim të Ramës në raport me BE. Rama i “tërheq veshin” BE, që të tregohet më e matur në raport me Kosovën. Rama i kujton se Kosova është aleate, dhe i çon mesazh edhe Kurtit, që ne kur komunikojmë së bashkë jemi më efektivë”, tha ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot