Petrit Kryeziu, aktualisht ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, është kandidati i vetëm për të parin e kësaj Prokurorie.
Në koncept-dokumentin se si do t’i adresojë ai problemet, Kryeziu ka shkruar se aktualisht kjo Prokurori po ballafaqohet me sfida të shumta, ndonëse ka shënuar progres dhe ndryshime pozitive, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, për shkak të karakteristikave që ka, kjo edhe për shkak të topografisë, pasi është kufiri me Shqipërinë nga njëra anë dhe pjesërisht ai me Maqedoninë e Veriut, sjellë shumë vepra specifike dhe shton bashkëpunimin e krimit.
Prokurori Kryeziu thotë se objektiva kryesore do të jetë rritja e cilësisë së hetimeve, shkresave të lëndës dhe përfaqësimit në gjykatë, pa përjashtuar avancimin sa i përket transparencës ndaj publikut dhe llogaridhënies së vazhdueshme të punës së prokurorëve.
Sipas tij, as Prokuroria Themelore e Prizrenit, nuk është imune ndaj mangësive dhe sfidave, që janë: numri i vogël i prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional, numri i vogël i sekuestrimeve, numri i madh i lëndëve të pazgjidhura me persona të panjohur, përmirësimi i infrastrukturës fizike, prezantimi i punës së Prokurorisë para publikut, mediave dhe shoqërisë civile, mbi të gjitha sfidë kryesore e sheh rritjen e besimit të qytetarëve në institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Kryeziu ka thënë se bazuar në strategjitë aktuale, do të hartohen planet e punës dhe synon profilizimin e prokurorëve, ngritjen e kapaciteteve profesionale, numër të nevojshëm të prokurorëve dhe stafit, e sidomos të bashkëpunëtorëve profesional.
Vizioni i tij, thotë se është ofrimi i trajtimit të barabartë për të gjithë para ligjit, trajtimi i punëve në mënyrë efikase, transparente, llogaridhënëse dhe profesionale, e cila synim në qendër ka trajtimin në mënyrë meritore të viktimave të krimit dhe besimin e publikut.
“Ky vizion do të realizohet përmes përfshirjes së akterëve kryesorë menaxhues të Prokurorisë së Prizrenit përmes planit vjetor të punës, duke mos përjashtuar idetë pozitive të secilit pavarësisht pozitës që mbanë”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Veç tjerash, ai ka shtuar se do kujdeset që të dalin me statistika të sakta, sidomos në drejtim të mbledhjes së të dhënave statistikore për rastet e sekuestrimeve dhe konfiskimeve të pasurisë, gjë e cila sipas tij deri më tani është e parregulluar si duhet dhe shkrimorja e Prokurorisë nuk i pranon dhe gjeneron të dhënat statistikore të sakta nga kjo fushë.
Lexo edhe:
Kryeziu thotë se ka pesë objektiva kryesore: rritja e besimit të publikut në institucionin e Prokurorit të Shtetit, përmes ngritjes së transparencës, llogaridhënies dhe bashkëpunimit ndërinstitucional; ngritja e cilësisë, efikasiteti dhe menaxhimi i mirë; trajtimi me prioritet i veprave penale më të shprehura; rritja e numrit të zgjidhjes së rasteve përmes procedurave alternative; sekuestrimi dhe konfiskimi.
Për të rritur besimin e publikut, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ai thotë se do fuqizojë zyrën për informim, ku përveç komunikatave ditore dhe publikimit të raportit 24 orësh, zyra për informim do të rrisë përfaqësimin në media të shkruara dhe televizive për rastet që përbëjnë interes për publikun.
Gjithashtu, prokurori shton se zyra për informim do të angazhohet edhe në drejtim të paraqitjes së ankesave në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) dhe Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), në rastet kur përmes lajmeve të pavërteta cenohet institucioni i Prokurorit të Shtetit.
Në anën tjetër, thotë se do mbajë takime me institucione tjera, takime me qytetarë, takime me gazetarë dhe shoqërinë civile, dhe në vazhdimësi do të jepen përgjigje dhe prononcime për media, duke përfshirë edhe organizimin e konferencave. Veç këtyre, ai ka paraparë edhe ligjërata me studentë dhe nxënës të shkollave në mënyrë që të njëjtit të njoftohen më për së afërmi me punën e prokurorit.
Kandidati për Kryeprokuror thotë se çdo tre muaj, do të shqyrtojë lëndët për secilin dhe me secilin prokuror dhe do të konstatohet nëse hetimi duhet të mbetet i hapur, të pezullohet, të pushohet apo të ngritet aktakuza dhe për këtë do të mbahet shënim zyrtar në secilën lëndë.
Kryeziu shton se do mbajë kolegjiume çdo muaj me prokurorët për të diskutuar rezultatet dhe ngecjet. Përmes kontrollit dhe mbikëqyrjes do të rrisë llogaridhënien e stafit dhe që secilin do ta trajtojë barabartë. Tha se do bëhet vlerësimi edhe i bashkëpunëtorëve profesional.
Për ta ngritur cilësinë, efikasitetin dhe menaxhimin e mirë, ai thotë se do të bëjë përpjekje që të ngriten aktakuza cilësore përmes hetimeve cilësore dhe kontrollit menaxhues të vazhdueshëm. Sipas tij, në rastet kur do kenë aktakuza të dobëta, një gjë e tillë do të reflektojë në vlerësimin e performancës së prokurorit.
Gjithashtu, ai thotë se kohë pas kohe do marrë pjesë në vëzhgim dhe vlerësim të prokurorëve në seanca gjyqësore. Kryeziu shton se do bëhet shfrytëzimi i kapaciteteve profesionale për lëndë të caktuara komplekse, ku do të shfrytëzohen njohuritë e gjithësecilit për të arritur rezultate pozitive.
Veç tjerash, ai thotë se do angazhojnë ekspertë në bazë të listës dhe pagesat për ta do të jenë të njëjta.
Sa i përket prioritetit në hetimet e veprave penale dhe ndjekjes se kryerësve, fokusin e veçantë do ta koncentrojë në veprat penale të korrupsionit, fajdesë, narkotikëve, krimeve kundër mjedisit dhe dhunës në familje.
“Beteja kundër korrupsionit mbetet e vazhdueshme për sundimin e ligjit, do të kem angazhim më të shtuar edhe nga pozita e kryeprokurorit, si dhe do te thellohet bashkëpunimi me institucionet relevante…”, shkruan Kryeziu në koncept-dokument.
Gjatë mandatit katërvjeçar, Kryeziu thotë se synon që të rrisë numrin e rasteve të zgjidhura përmes procedurave alternative. Veç kësaj, ai thotë se rastet penale që kanë të bëjnë me përfitim pasuror, asnjë i tillë nuk do të kalojë pa ndërmarrje të hetimeve financiare në drejtim të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive, në të kundërtën prokurorët do të ballafaqohen me vlerësime të ulëta të performancës.
Sfidat, Kryeziu thotë se do t’i tejkalojë duke u mbështetur fillimisht në vullnet personal, pastaj në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Këshillin Prokurorial, Sekretariatin e Këshillit dhe Kryeprokurorin e Shteti, si dhe institucionet tjera ligj-zbatuese.
Ai thotë se ndër hapat e parë që do të ndërmerren, do të jetë respektimi i mirëfilltë dhe korrekt i orarit të punës, etika në punë, mirësjellja ndërkolegiale dhe me palët, si dhe respektimi i konfidencialitet në punë.
Sipas tij, në frymën e legjislacionit do të kërkohet që stafi të ushtrojë detyrën me profesionalizëm, paanësi, pa diskriminim, në kohë, pa interes personal dhe në përputhje me ligjin dhe Kodin e Etikës.
Kryeziu shton se do të qëndrojë i informuar, koherent për zhvillimet e fundit, do të jetë transparent fillimisht me kolegët ku punon, e pastaj do të shtrijë këtë transparencë edhe me publikun.
Ndryshe, Këshilli Prokurorial të Kosovës (KPK), në mbledhjen e 257-të mbajtur më 20 nëntor 2024, ka konfirmuar kandidatët për Kryeprokurorë në pesë Prokurori Themelore dhe atë: Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Prokurorinë Themelore në Pejë, Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe Prokurorinë Themelore në Prizren. /BetimipërDrejtësi