Ruud Van Nistelrooy, trajneri i ri i Leicester, foli për ndjesitë e tij, që nuk ishin të mira, pas largimit nga Manchester United, pasi nuk ishte në planet e Rúben Amorim për stafin e “Djajve të Kuq”.
Ditën kur u prezantua si trajner i ri i Leicester, ekip që ka probleme në Premier League, holandezi zbuloi se kishte biseduar me Amorim dhe nënkuptoi se e kishin shkarkuar. Ai la të kuptohej se prania e tij mund të kishte shkaktuar probleme në të ardhmen për trajnerin portugez.
“Kur mora postin e trajnerit të përkohshëm, ajo që thashë ishte se isha këtu për të ndihmuar Manchester United dhe do të qëndroja për ta ndihmuar. Në fakt e thashë seriozisht. Prandaj, u ndjeva shumë i zhgënjyer dhe më dhembi që duhej të largohesha”, – tha Van Nistelrooy.
Ish-sulmuesi e pranon se do të kishte qëndruar në “Old Trafford”, pavarësisht se do të duhej të ishte nën urdhrat e trajnerit portugez: “E vetmja punë që do të kisha pranuar si ndihmës trajner do të ishte te Manchester United për lidhjen që kam me njerëzit e klubit dhe tifozët”.
Van Nistelrooy gjithashtu pranon se ka biseduar me Amorim dhe kjo e ndihmoi të kthente faqen dhe të shihte mundësi të reja si ajo e Leicester: “Bisedova me Rúben për këtë çështje dhe ai ishte dakord. E vlerësova bisedën, folëm si burra, si persona, si trajnerë. Kjo më ndihmoi shumë të shikoja përpara për mundësi të reja, gjë që natyrisht më ngriti moralin”.
Për më tepër, ish-sulmuesi i Real Madridit, ndër të tjera, pranon se e kupton pse Amorim nuk donte ta kishte në stafin e tij: “Në fund e kuptova, sepse gjithashtu e kuptoj trajnerin e ri. Edhe unë vetë jam trajner. Mund ta imagjinoni një situatë ku unë jam atje… E kuptoj”.
Tani Van Nistelrooy ka objektivin të bëhet trajneri kryesor i Leicester dhe të fitojë eksperiencë në një stol të Premier League. Në prezantimin e tij, holandezi e pranoi se fitimi i respektit të futbollistëve është hapi i parë: “Është mënyra e vetme për të punuar. Bëhet fjalë për respektin e ndërsjellë. Iu thashë lojtarëve që i kam vëzhguar, kam filluar të bisedoj me to, sepse në futboll të gjithë e njohin njëri-tjetrin”.