Ademi paralajmëron zbarkimin legjendave botërore në Prishtinë

- Bota Sot

Ademi paralajmëron zbarkimin legjendave botërore në Prishtinë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka paralajmëruar që së shpejti në Prishtinë mund të zbarkojnë legjendat e futbollit botërorë, duke organizuar kështu një ndeshje miqësore ndërmjet legjendave të FIFA- dhe UEFA-s.

Ai përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se është takuar me disa legjenda të futbollit botëror, në mesin e të cilëve edhe legjenda e Holandës, Youri Djorkaef, për të cilin ka thënë se ai ka pranuar të jetë pjesë e asaj ndeshje.

“Kënaqësi të jem në mesin e legjendave të futbollit, Youri Djorkaef dhe Houssine Kharja. Diskutuam rreth idesë që me rastin e inaugurimit të Kampit Nacional të FFK-së të organizohet një ndeshje e veçantë mes Yjeve Legjenda të FIFA-s dhe UEFA-s. Një ndeshje e tillë do të bashkojë emra të mëdhenj të futbollit botëror në kryeqytetin tonë dhe do të shërbejë edhe si promovim për vendin tonë. Djorkaeff e mirëpriti këtë ide dhe u dakordua që ta përfshijë atë në programin e tyre”, ka thënë Ademi.

Ai ka shtuar se data e kësaj ndeshje nuk është përcaktuar ende dhe se është e varur nga ecuria e përfundimit të punimeve në kamp.

“Data e këtij eventi të përcaktohet ndërkohë, pasi gjithçka varet nga ecuria e përfundimit të punimeve në kamp”, ka shtuar ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot