Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet.
Për një rast të tillë, kanë rënë në pranga dje edhe një person në Komunën e Prizrenit, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë kontrollit të tij në Rr. Jusuf Gërvalla, Policia gjen tek i njëjti dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 0.46 gram.
Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit është bastisur banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një qese me substancë narkotike të llojit kokainë me peshe prej 26.67 gram, substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 5.09 gr, një peshore, një telefon, dhe 145 euro para të gatshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.