Bremer flet për dëmtimin e rëndë

- Bota Sot

Bremer flet për dëmtimin e rëndë

Dy muaj pas lëndimit, Gleison Bremer ëndërron të luajë përsëri me fanellën e Juventusit. Një dëshirë e madhe që pasqyron vendosmërinë e tij për të lënë pas dëmtimin e rëndë në gju. Në një intervistë për “Young Reporter”, ai ndau gjendjen e tij dhe procesin e rikuperimit:

“Tani ndihem mirë, më e keqja ka kaluar dhe po rikuperohem gradualisht. Jam jashtë fushe prej pothuajse dy muajsh dhe ndonjëherë natën ëndërroj fanellën bardhezi. Është një ndjenjë e mrekullueshme. Është një fanellë historike, që ka fituar gjithçka. Është skuadra më e fortë në Itali, kështu që është një emocion i veçantë”.

Këshilla nga Chiellini: “Do të flas me Giorgio, i cili ka pasur një dëmtim të ngjashëm me timin. Dua të kuptoj çfarë ka bërë ai për t’u kthyer në nivelin e mëparshëm”.

Rreth grupit dhe atmosferës te Juventusi: “Jemi një ekip i mirë, ka shumë harmoni mes nesh. Pinsoglio është i mrekullueshëm, Gatti gjithmonë të bën të qeshësh. Edhe pse kam qenë jashtë për pak kohë, kemi një grup WhatsApp dhe para çdo ndeshjeje iu dërgoj mesazh motivues. Kur jam në ‘Continassa’ duke bërë terapi, flas me ta. Kjo më ndihmon të ndihem pjesë e grupit”.

Qasja mendore dhe sfidat te Juventusi: “Kam një trajner personal që më ndihmon nga ana mendore. Viti im i parë, kur kalova nga Torino te Juve, ishte i ndryshëm. Ky është një nga klubet më të mëdha në botë dhe më i rëndësishmi në Itali. Kur vjen këtu, të gjithë të shikojnë me lupë. Nëse nuk performon mirë, kritikat vijnë nga çdo anë. Nëse punon mirë mendërisht dhe fizikisht, suksesi vjen natyrshëm. Përqendrimi në aspektin mendor është thelbësor, kjo më ka ndihmuar shumë”.

Rrugëtimi nga Brazili në Itali: “Kur mbërrita në Itali, ishte një periudhë e vështirë. E dija se të gjithë ëndërronin të vinin në Europë. Veçanërisht për mua si mbrojtës, Italia është një nga shkollat më të mira. Kam arritur atë që jam sot përmes punës së palodhur, kjo më ka formuar”.

Rreth evoluimit si mbrojtës: “Fillimisht luaja si mesfushor, por një trajner më vendosi në mbrojtje. Gradualisht, përmes stërvitjes, kuptova që mund të bëhesha mbrojtës i mirë. Si mbrojtës, kur bën një ndërhyrje të shkëlqyer, është detyra jote, por gjithashtu të jep besim dhe rritesh gjatë ndeshjes. Ndjenja është e jashtëzakonshme për një mbrojtës. Futbolli po ndryshon shumë; tani mbrojtësit duhet të luajnë mirë dhe të përshtaten. Është thelbësore të stërvitesh dhe të përshtatesh me stilin modern të lojës”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot