Plas te Beshiktashi

- Bota Sot

Plas te Beshiktashi

“Bomba” ka plasur te skuadra e Ernest Muçit. Dorëheqja e presidentit, largimi i trajnerit Xhovani Van Bronkhorst dhe shkarkimi i disa drejtuesve të klubit, kanë sjellë një situatë kaotike në gjigandët turk. Ernest Muçi u transferua me shumë bujë nga Legia e Varshavës, ku zhvilloi disa sezone pozitivë.Drejtuesit ishin tepër optimist për talentin kuqezi dhe madje paguan 10 milionë euro për të dhe udhëtuan me avion privat duke e “rrëmbyer” në ditën e fundit të merkatos në janar. Gjysma e dytë e sezonit të kaluar foli mirë për Muçin, i cili duket sikur u ambientua shpejt me klubin dhe madje u bë i preferuara i tifozëve.

Megjithatë, pas ikjes së trajnerit dhe nisjes së sezonit të ri, gjërat ndryshuan. Lojtari pati një formë të dobët dhe Xhovani Van Bronkhorst nuk e aktivizonte, por më pas gradualisht ai mori minuta dhe madje shënoi tri herë radhazi në ndeshjet e fundit, përpara se të dëmtohej gjatë ndeshjeve të Kombëtares shqiptare në Ligën e Kombeve.

PENDIMI- Në Turqi duket sikur janë penduar për transferimin e fantazistit, që me thënë të drejtën ka luajtur në të gjitha pozicionet e sulmit, si majtas apo edhe në të djathtë. Pasi u shkarkua me një mesazh në tel, Samet Ajbaba që mbante postin e koordinatorit të përgjithshëm në klub ka mbajtur një konferencë për shtyp, duke treguar të gjitha prapaskenat e transferimeve, ku thekson se shpenzimi i asaj shumë për një lojtar si Muçi, ishte i tepruar.

Diçka të tillë ai u kishte bërë të ditur menaxherit dhe drejtuesve të bordit me anë të një raporti: “Drejtuesit na pyetën për Muçin, se çfarë lloj lojtari është. Shkruajtëm një raport për Muçin. Shkruajtëm që nuk është e përshtatshme që të blesh një lojtar, i cili nuk është provuar në një ligë të fortë dhe madje nuk luan rregullisht as në ekipin kombëtar. E njëjta gjë edhe për Musrati. I paralajmërova për kostot. Sigurisht që u tronditëm”, ka theksuar Ajbaba.

KOMISIONET- Ndër të tjera Ajbaba, ish-koordinatori i klubit akuzon këshilltarin e klubit Bred Friedel se ka marrë komisione nga merkatoja e verës, por ky i fundit i përgjigjet: “Nuk kam pasur asnjë lidhje me transferimet e Muçit, Mustratit dhe Zhoaos. Të gjitha këto i ka miratuar komiteti i transferimeve dhe ata e kishin fjalën e fundit. Nuk kam marrë asnjë tarifë dhe shpresoj që e vërteta të zbardhet nga auditi që do të bëhet”, thotë Friedel.

E ARDHMJA- Aktualisht Ernest Muçi është jashtë ekipit për shkak të një dëmtimi dhe ka humbur dy ndeshjet e fundit. Në muajin janar hapet edhe merkatoja dhe nuk dihet nëse do të ketë një lëvizje për fantazistin, por gjithçka varet edhe nga presidenca që do të marrë kontrollin e Beshiktashit, me zgjedhjet që do të bëhen pas një muaji.



Lexoni të gjitha në Bota Sot