Mbrëmja gala ngjyroset zikaltër

- Bota Sot

Mbrëmja gala ngjyroset zikaltër

Një mbrëmje festive dhe e ngjyrosur me ngjyrat zikaltër. Mbrëmja gala e futbollit italian për vitin 2024 në Milano ka parë si protagonist absolut Interin, kampionin e Italisë.

Si trajneri i vitit, si klubi i vitit, trajneri dhe goli i vitit. Të gjitha i kanë fituar zikaltrit. Skuadra e Simone Inzagit, i cili u shpall trajneri më i mirë i vitit ka dominuar totalisht në çmimet e shpërndara nga shoqata e futbollistëve. Ashtu siç dominoi kampionatin, edhe këtë herë në skenë nuk kishte rivalitet.

ÇMIMET Lautaro Martinez u përzgjodh lojtari më i mirë i sezonit 2023-2024 dhe shumë pak dilema kishte për këtë triumf të tijin. Sulmuesi zikaltër dhe kapiteni udhëhoqi skuadrën drejt një triumfi të jashtëzakonshëm në Serinë A. Edhe Interi si klub u zgjodh më i miri, ndërsa trajneri Simone Inzagi u përzgjodh mbi të tjerët.

Ndërkohë që goli i vitit u zgjodh përmes votimit të tifozëve, ku morën pjesë afro 30 mijë. Atë e fitoi gjithashtu një zikaltër, Markus Turam. Bëhet fjalë për derbin kundër Milanit më 16 shtatorin e vitit 2013, kur e djathta e frikshme u ndal në trekëndësh, ku Menja nuk mund të bënte dot asgjë. Si për çudi edhe talenti më i mirë u zgjodh një interist, por që në fakt nuk nuk luan te zikaltrit për momentin. Bëhet fjalë për Françesko Pio Espositon, sulmuesin e huazuar te Specia në Serinë B.

FORMACIONI “AIC” (Shoqata italiane e futbollistëve) ka përzgjedhur gjithashtu edhe formacionin më të mirë të vitit qëlamë pas. Në bazë të performancës që kanë bërë lojtarët në fushën e lojës një 4-3-3 me shumë kualitet dhe mbi të gjitha të dominuar sërish nga kampionët e Italisë. Në portë është Jan Zomer, që ndihmoi Interin për të pasur mbrojtjen më të mirë të kampionatit, Belanova dhe Dimarko nga krahët, ndërsa Bastoni dhe Kalafiori në qendër.

Në mesfushë janë 2 lojtarë të Interit, Çalhanoglu dhe Barela, por edhe Kopmainer. Ndërkohë që treshja e sulmit përbëhet nga Lautaro Martinez, Turam dhe ish-sulmuesi i Bolonjës, Zirkze.

Ky i fundit është aktualisht te Junajtid, por ende nuk i ka treguar vlerat e tij. Ndërkohë që arbitri i vitit u përzgjodh Daniele Orsato, në sezonin e tij të fundit të karrierës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot