Vllaznia me sytë nga Bekim Balaj

- Bota Sot

Vllaznia me sytë nga Bekim Balaj

Vllaznia u kthye te fitorja të dielën që shkoi, pasi mundi me përmbysje me Elbasanin.

Shënuan në atë ndeshje Kevin Dodaj dhe Mehdi Çoba, ndërsa për kapitenin Bekim Balaj ishte një tjetër 90-minutësh “Jo”.

Ishte ndeshja e 5-të radhazi pa provuar shijen e golit nga e lojtarit kryesor të skuadrës shkodrane. Sulmuesi i Vllaznisë dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit, bashkë me Zabërgjën e Dinamos, nuk po zhbllokohet.

Ai ka mbetur në kuotën e 8 golave dhe është barazuar nga rivalët e garës për “Këpucën e Artë”. Për 33-vjeçarin duket se ka një “ngërç”, pasi nuk ka mundur ta gjejë golin në ndeshjet kundër Elbasanit, Dinamos, Bylisit, Teutës dhe Egnatias.

Për herë të fundit ka shënuar në fitoren 2-0 ndaj Skënderbeut në javën e 12-të të kampionatit. Është hera e parë për Balajn këtë sezon që përjeton një “thatësirë” kaq të gjatë. Shtatlartit i kishte ndodhur gjatë këtij edicioni të mos shënonte në 3 ndeshje radhazi, konkretisht ndaj Dinamos, Elbasanit dhe Partizanit, por tashmë janë 5 sfidat pa gol.

Gjatë kësaj periudhe Balaj ka munguar edhe në ndeshjen kundër Laçit për shkak dëmtimi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot