Rikthimi në fushë pas dëmtimit

- Bota Sot

Rikthimi në fushë pas dëmtimit

Nëntë javë pune e palodhur ia vlejti çdo moment për të lënë Alison Bekerin të kënaqur pasi u kthye në aksion për Liverpulin të martën mbrëma.

Duke qenë jashtë fushe për shkak të dëmtimit që nga 5 tetori, portieri u rikthye në formacionin titullar të Arne Slotit në fitoren 1-0 të Ligës së Kampioneve në Girona. Alison e shënoi rastin me një paraqitje mbresëlënëse, që përfshinte disa pritje të rëndësishme dhe i dha atij çmimin e Lojtarit të Ndeshjes.

Menjëherë pas vërshëllimës së fundit në “Estadi Montilivi”, ku penalltia e Mohamed Salahut në pjesën e dytë ishte në fund vendimtare, Alison foli për “Liverpoolfc.com” për emocionet e tij të forta kur veshi sërish fanellën.

“Ishte shkëlqyeshëm të kthehesha. Sinqerisht, mezi e prisja këtë moment, nëntë javë jashtë duke punuar aq shumë sa nuk mund ta besoni. Ia vlente çdo moment, çdo seancë, çdo stërvitje për t’u rikthyer në fushë dhe për të dhënë një paraqitje të mirë, për të ndihmuar ekipin me pikët, një portë të paprekur. Dhe të kesh këtë ndjenjë është shumë mirë. Kur jeni larg për kaq shumë kohë, jeni thjesht mirënjohës për gjithçka që keni bërë dhe për njerëzit që kanë punuar pranë teje, departamentin e fizioterapisë, kryesisht Li Nobs, mjekun. Të gjithë djemtë ishin fantastikë.

Stafi im personal gjithashtu. Familja ime, të gjithë njerëzit që punojnë me mua. Jam shumë i lumtur që i kam në anën time. Sigurisht që ne e dimë se mund të kishim bërë më mirë në lojën me top dhe pa të. Por do të jem i lumtur gjithsesi, sepse ishte punë e vështirë për mua të kthehesha dhe thjesht dua ta mbaj këtë ndjenjë, duke shijuar çdo ndeshje që tani e tutje dhe të qëndroj në formë”.

Braziliani mezi po e pret edhe sfidën e radhës në “Anfield”, kundër Fulhamit: “Ne kemi tashmë të shtunën një sfidë e madhe, dhe sezoni është vetëm në fillim. Kemi një moment të vështirë tani, me intensitet të vërtetë në Premier Ligë, kështu që do të qëndrojmë të fokusuar në sfidën e radhës që kemi, të japim më të mirën dhe të përpiqemi të marrim tre pikët. ‘Anfield’ është gjithmonë i veçantë dhe do të luajmë ndaj një kundërshtari të vështirë, që po luan shumë mirë këtë sezon. Por jam i emocionuar që do të jem atje të shtunën për të luajtur këtë ndeshje”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot