Policia e Kosovës gjatë këtij viti është marrë me 27 raste ku nxënësit në shkolla ose rreth saj janë kapur duke abuzuar me substanca narkotike. Shqetësim për këtë ka ngritur edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, sidomos për përdorimin e drogave sintetike në shkollat e vendit.
Mes çështjeve që kanë hyrë në radarin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ishin edhe narkotikët.
Konkretisht, sipas kryetares së komisionit që mbikëqyr këtë institucion, Ganimete Musliut, bëhet fjalë për drogat sintetike, që kanë prezencë të madhe në hapësirat e institucioneve arsimore.
Tv Dukagjini ka kërkuar të dhëna Policisë së Kosovës për rastet që lidhen me përdorimin e narkotikëve në shkolla, konkretisht atyre sintetike.
Por në përgjigjen e tyre, ky institucion kanë ofruar të dhëna për rastet e përgjithshme, por kanë treguar që gjatë këtij viti ata janë marr me 27 raste të tilla.
“Rastet në afërsi të shkollave, shkolla dhe përreth tyre në periudhën e vitit 2024 kanë qenë 27 , 23 raste posedim dhe 4 trafikim me narkotik. 36 persona të arrestuar, një në arrati, konfiskimet 3 pako rizlla, 1 grinder , 2 thika, 40 Euro. Ndërsa, sasitë e konfiskuara në kuadër të urdhrit operativ “Siguria në shkolla” dhe ,,Siguria dhe stop drogave në shkolla” gjatë vitit 2024 janë: 92.13 gr marihuanë, ekstazi 1.71 gr”, ka deklaruar Policia e Kosovës.
Shifrat e këtij viti, tregojnë për nivel dukshëm më të ulët të narkotikëve të gjetura, por edhe numrit të personave të arrestuar.
Por edhe sasia dhe llojet e narkotikëve të kapura, kanë dallim të madh ndërmjet dy viteve, dukshëm më të ulët gjatë këtij viti.
Pavarësisht këtyre shifrave, në qendrën për parandalimin e abuzimit me droga, Labyrinth, thonë se edhe përbërja e narkotikëve është edhe më problematike.
“Kanë filluar me të madhe të përdorën, edhe pse përpara janë përdorur por tash kanë fillu me u shpërnda me të madhe dhe me shpejtësi drogat e tilla, psh. ekstazia dhe në Kosovë ekstazia nuk është më e njëjtë sikur para 10 viteve”, ka thënë Safet Blakaj nga qendra “Labyrinth”.
Televizioni ka pyetur Ministrinë e Arsimit nëse do të ndërmarrin hapa për parandalimin e këtyre dukurive por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Në gjimnazin “Eqrem Qabej” në kryeqytet, thonë se nuk kanë pasur kërkesa nga institucionet e nivelit qendror, që të merren hapa për t’i kushtuar hapësirë parandalimit por ai thotë se shkolla këtë e bën vet.
“Nuk kemi pasur diçka konkrete që të nxiteshim për debate nga institucionet gjegjëse të arsimit, të sigurisë herë-herë kemi…”, ka thënë Shemsedin Beqiri – Gjimnazi “Eqrem Qabej” .
Vitin e kaluar policia kishte hapur gjithsej 80 raste që përfshinin posedimin e narkotikëve ose trafikimin e tyre, me gjithsej 103 persona të arrestuar.
Ndërkohë gjatë këtij viti, deri në këtë periudhë policia, në hapësirat e shkollës dhe përreth saj ka të regjistruara gjithsej 27 raste, me 36 të arrestuar për veprat e njëjta.