KEDS dhe KESCO apelojnë për kursim të rrymës: Konsumi ka arritur në nivel rekord prej 1500 megavatë në orë

- Gazeta e Prizrenit

KEDS dhe KESCO apelojnë për kursim të rrymës: Konsumi ka arritur në nivel rekord prej 1500 megavatë në orë

Për shkak të motit më të ftohtë dhe ardhjes së mijëra bashkatdhetarëve në vendlindje është rritur kërkesa për energji elektrike deri në 1500 megavatë në orë.

“Shpenzimi i tillë nuk është shënuar asnjëherë më parë në historinë e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS dhe KESCO.

“Deri te kjo situatë ka ardhur pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve janë duke u ngrohur me energji elektrike. Kjo ka bërë që disa pjesë të vendit të mbingarkohen tej mase, duke rrezikuar edhe djegien e aseteve të rrjetit distributiv”.

“Në të njëjtën kohë, pasi prodhimi vendor nuk po mjafton as përafërsisht që të mbulohet kjo kërkesë, po importohet një sasi e konsiderueshme e saj me çmime dukshëm më të larta se ato nga prodhimi vendor”, vazhdon njoftimi.

“Në këto rrethana, KEDS dhe KESCO apelojnë fuqishëm që të kursehet maksimalisht energjia elektrike, pasi kjo mundëson operim më të lehtë të sistemit, më efikas dhe më të sigurt. Po ashtu, edhe kostoja e energjisë elektrike ulet nëse varësia nga importi është më e vogël”.

“Një nga sugjerimet e rëndësishme për kursim është edhe përdorimi i formave alternative për ngrohje aty ku është e mundshme, në mënyrë që të ketë stabilitet të operimit në zonat ku furnizimi me energji elektrike është jetik në këtë mot të përkeqësuar dimëror”.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit