A do të sundojë fushatën zgjedhore sulmi në Magdeburg?

- Bota Sot

A do të sundojë fushatën zgjedhore sulmi në Magdeburg?

Më pak se një orë pas goditjes vdekjeprurëse me makinë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, filluan përpjekjet e para për të ndezur atmosferën pas krimit me akuza të rreme dhe për të nxjerrë kapital politik prej tyre: U tha, se autori i dyshuar ishte një sirian i ardhur në Gjermani që kishte ardhur si refugjat në vitin 2015/2016. Se nuk ishte një autor i vetëm i krimit, por pesë, tre prej tyre ishin ende në arrati dhe një bombë ishte vendosur edhe në tregun e Krishtlindjeve. Dhe se 34 persona ranë viktima të sulmit.

Mbi të gjitha, ekstremisti i krahut të djathtë,  Martin Sellner, austriak, kreu kryesor i rrjetit evropian të së ashtuquajturës E Djathta e Re, ishte në ballë të dezinformimit. Filloi të vendoset toni ksenofobik, politikanët nga partia pjesërisht ekstremiste e djathtë, AfD  e ndjekin shembullin e tij pak kohë më vonë. "Vetëm AfD do ta kishte dëbuar atë njeri prej kohësh", postoi një mesazh, Sven Tritschler, nënkryetar i grupit parlamentar të AfD në shtetin më të populluar të Renani Veriore-Westfalisë në Gjermaninë perëndimore. "Migracioni milionësh është problemi dhe riemigrimet milionëshe janë zgjidhja", shkroi Dominik Kaufner, përfaqësues i AfD në shtetin e Brandenburgut, pranë Berlinit. Dhe anëtarja e parlamentit të landit të AfD, Vanessa Behrendt nga landi i Saksonisë së Poshtme i sheh SPD,  CDU,  Të Gjelbrit dhe të Majtë si përgjegjëse: "Ju jeni përgjegjës për këtë. Vetëm ju."

Ndërkohë që vrasësi i dyshuar Taleb A. është sipas të gjitha gjasave një kritik i islamit dhe simpatizant i AfD.

Do të anojë Gjermania edhe më shumë në krahun djathtist?

Kjo është arsyeja pse kryetarja e partisë AfD dhe kandidatja për kancelare, Alice Weidel mbeti e paqartë kur shkroi në X: "Kur do të përfundojë kjo çmenduri?" Kanë mbetur vetëm dy muaj deri në zgjedhjet federale të 23 shkurtit dhe sulmi në Magdeburg mund të ketë një ndikim masiv në fushatën zgjedhore, sipas ekspertëve.

Studiuesi i shkencave politike dhe partive, Benjamin Höhne thotë për DW: "Tendenca po shkon gjithnjë e më shumë në të djathtë, narrativat e krahut të djathtë po përhapen. Një politikë e hapur migrimi që përpiqet të njohë të drejtat e njeriut në nivel global tashmë ka mbetur prapa. Ngjarje të tilla katastrofike si në "ajo që ndodhi në Magdeburg ndoshta do ta përkeqësojë edhe më tej këtë prirje."

Sarah Wagenknecht sulmon ministren e Brendshme të SPD, Nancy Faeser

Aleanca e majtë populiste Sarah Wagenknecht (BSW), e cila kërkon një politikë më kufizuese të migracionit sulmoi pas tragjedisë në Magdeburg, ministren e Brendshme Federale të SPD. Nancy Faeser duhet ti përgjigjet edhe një herë pyetjes "pse kaq shumë njoftime dhe paralajmërime u injoruan paraprakisht". Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve dpa, Arabia Saudite u dërgoi autoriteteve gjermane një lloj paralajmërimi për njeriun rreth një vit më parë. Duke iu referuar sulmeve në Solingen dhe Mannheim, kryetarja e BSW Sarah Wagenknecht po bën thirrje për "më në fund një koncept bindës për sigurinë me një fokus të qartë në mbrojtjen e popullsisë".

Politologu Höhne në lidhje me këtë shpjegon, se "mund të supozohet se partitë, veçanërisht nga spektri i ekstremit të djathtë, do të përpiqen të sulmojnë ministren e Brendshme dhe SPD për çështjen e sigurisë. Sepse SPD ka përgjegjësi për Ministrinë e Brendshme dhe sigurinë e brendshme në nivel federal, ajo do të përpiqet të mos përfundojë në një pozicion mbrojtës në këtë drejtim për shkak të ngjarjeve në Magdeburg."

Siguria dhe migracioni -tema fushate zgjedhore

E nuk është e lehtë për partinë e kancelarit Scholz, sepse kur bëhet fjalë për çështjen e "sigurisë së brendshme", gjermanët tradicionalisht priren ti besojnë Unionit, i përbërë nga CDU dhe partia e saj simotër bavareze, CSU. Politologu, Benjamin Höhne është i bindur se çështjet e sigurisë dhe migracionit, siç u pa në zgjedhjet e fundit të landeve në Gjermaninë Lindore, do të mbizotërojnë axhendën politike në javët e ardhshme. Në këtë vend ka ndodhur një i ashtuquajtur "siguritizim”, fokusim tek siguria e brendshme.

"Kjo do të thotë se migrimi do të diskutohet pothuajse ekskluzivisht nga perspektiva e kërcënimeve të mundshme ose aktuale të sigurisë. Aspekte të tjera të çështjes së migracionit kanë për tu shtyrë në plan të dytë - për shembull, si mund të plotësohen vende pune ose si mund të rekrutohen punëtorë të kualifikuar në Gjermani. Kam frikë se sulmi në Magdeburg do të ndryshojë këtë tendencë ekzistuese të forcuar përsëri."

Edhe Elon Musk përzihet në fushatën zgjedhore në Gjermani

Kësaj i shtohen edhe përpjekjet gjithnjë e më masive nga jashtë për të ndikuar në politikën gjermane dhe fushatën zgjedhore. Fushatat e dezinformimit nga Rusia kanë ekzistuar prej kohësh, ajo që është e re është se miliarderi i teknologjisë digjitale, Elon Musk po sulmon gjithnjë e më shumë qeverinë gjermane. Para sulmit në Magdeburg, këshilltari i Trump kishte bërë thirrje që të zgjidhej AfD, tani ai bëri thirrje për dorëheqjen e kancelarit Scholz dhe e quajti atë një "budalla të paaftë".

Studiuesi i shkencave politike, Höhne shprehet, se "institucionet qeveritare dhe përfaqësuesit e qeverisë duhet të mendojnë nëse prania e tyre në platformën X është ende politikisht e vlefshme. Tashmë duhet të jetë e qartë për të gjithë se Elon Musk po përdor koncernin e tij për ta bërë prezente axhendën e tij politike edhe në Gjermani." Institucionet shtetërore në Republikën Federale të Gjermanisë "nuk duhet ta pranojnë këtë”./DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot