Amorim: Deklarata e Rashford? Nuk ndikohem

- Bota Sot

Amorim: Deklarata e Rashford? Nuk ndikohem

“Boxing Day” do të vendosë përballë dy trajnerë portugezë në Premier League, me Wolverhampton-in, tashmë nën drejtimin e Vítor Pereira-s, që pre Manchester United.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Ruben Amorim u pyet sërish për çështjen ‘Marcus Rashford’, i cili ka qenë jashtë listës së të grumbulluarve në tri ndeshjet e fundit.

Trajneri i Manchester United beson se anglezi është ndikuar të thotë se dëshiron të largohet nga klubi, por siguroi se kjo nuk ndikon në vendimin e tij për të mos e grumbulluar.

“Vendimi është imi (nëse lojtari do të jetë i grumbulluar). Ai dëshiron të luajë, po përpiqet. Vendimi është imi.

Thjesht është vendimi im. Kam folur me shumë lojtarë individualisht, gjatë stërvitjeve, kështu që përpiqem t’i bëj gjërat dhe po i bëj në mënyrën time, që është e vetmja që njoh.

Nëse nuk e bëj, do të humbas veten dhe nuk do ta lejoj këtë. E di çfarë po bëj”, deklaroi trajneri portugez, i cili beson se kjo çështje me sulmuesin nuk po dëmton ekipin.

I pyetur për intervistën e sulmuesit anglez, Amorim tha:

“Mesazhi im është shumë i qartë. Të gjithë në Carrington e dinë për çfarë po flas dhe çfarë dua nga Rashford dhe nga të tjerët, prandaj nuk është një shpërqendrim për ne.

Ndoshta është për mediat, por ky nuk është shqetësimi im”, theksoi ai.

Pas humbjes së rëndë 0-3 në shtëpi kundër Bournemouth, Amorim u shpreh optimist për një të ardhme më të ndritshme:

“Dua vetëm të fitoj ndeshje. E di që ka një projekt afatgjatë dhe jemi të përqendruar tek ai, por gjithashtu e di që në klubet e mëdha nuk ka shumë kohë dhe duhet të fitosh ndeshje. Kam një ide të qartë për përgjegjësinë që kam këtu.

E di çfarë do të bëj, kjo është shumë e qartë për mua.

Për këtë arsye ndihem kaq… Nuk dua të them i qetë, sepse jam shumë i zhgënjyer si tifozët, por e di çfarë të bëj. Duhet të zgjidhim disa probleme, hap pas hapi, duke gjetur zgjidhje për gjithçka.

Por është një moment shumë i vështirë, i kuptojmë tifozët dhe do të luftojmë për të kapërcyer këtë situatë”, siguroi ai.



Lexoni të gjitha në Bota Sot