Lista Serbe “do të marrë pjesë” në zgjedhje

- Bota Sot

Lista Serbe “do të marrë pjesë” në zgjedhje

Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos e certifikuar këtë subjekt politik për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas një njoftimi nga PZAP-ja, ankesa është dorëzuar brenda afatit ligjor dhe po shqyrtohet për të vendosur në përputhje me procedurat.

Lista Serbe kishte paralajmëruar më parë pjesëmarrjen e saj në zgjedhje pas një bojkoti dyvjeçar të proceseve politike në Kosovë.

Në këtë kontekst, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, dhe ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në FIVE të Dukagjinit kanë dhënë mendime për procesin e votimit dhe vendimin e PZAP-së.

Kryeziu theksoi se procesi mund të jetë ndikuar nga aspekte politike, teksa ka shtuar se Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhje.

“Kështu që unë e konsideroj që ai panel, i cili nuk ka pas materie për ta shqyrtuar është dashur të kalojë në mënyrë formale.

Ndoshta më shumë (është trajtuar) në aspekt politik. Nganjëherë munden mi arsyetu për shkak të fyerjes së atij kryetarit të Listës Serbe, sjelljes së keqe të atij.

Unë konsideroj që (PZAP-ja) do të lejoj Listën Serbe të merr pjesë në zgjedhje”, ka thënë Kryeziu.

Daka vuri në dukje faktin se vendimi i KQZ-së ka qenë i paqartë për shkak të mungesës së kuorumit dhe pjesëmarrjes së pjesshme të anëtarëve në votim.

“Duke mos dashur të paragjykoj, unë nuk jam më në pozitën që mund të jap parashikime, pasi tashmë jam vetëm në Gjykatën Supreme dhe çështja mund të vijë në këtë gjykatë. Nga ana ime nuk do të ishte shumë profesionale të shprehem mbi këtë çështje.

Megjithatë, duke folur nga pozicioni i ish-kryetares së KQZ-së, mund të them se PZAP-ja e ka punën shumë të lehtë, sidomos duke u nisur nga fakti që për mua ka qenë shumë e paqartë se çfarë ka ndodhur në votimin në KQZ. Siç është raportuar edhe në media, 11 anëtarë kanë qenë prezentë; dy vota kanë qenë pro, dy kundër, ndërsa të tjerët nuk kanë marrë pjesë në votim. Në këtë situatë nuk ka pasur as kuorum dhe as mundësi për të votuar, prandaj nuk e di sesi do të veprojë PZAP-ja në këtë drejtim dhe nëse ka ndonjë ankesë për këtë çështje.

Gjithsesi, duke pasur parasysh kandidatët – sepse këtu flitet për listën e kandidatëve të Listës Serbe, jo për subjektin politik si tërësi – kandidatët që duhet të certifikohen tashmë i kanë kaluar të gjitha filtrat. Duke filluar nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, KGJK-ja dhe KPK-ja, është konstatuar se nuk ka asnjë pengesë ligjore që ata të certifikohen. Po ashtu, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ka dhënë rekomandim që kjo listë të certifikohet

Unë konsideroj që PZAP-ja e ka punën shumë të lehtë, duke mos dashur të paragjykoj edhe një herë”, ka thënë Daka.



Lexoni të gjitha në Bota Sot