Thellohet mosmarrëveshja për tranzitin e gazit mes Ukrainës dhe Sllovakisë

- Bota Sot

Thellohet mosmarrëveshja për tranzitin e gazit mes Ukrainës dhe Sllovakisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy akuzoi të shtunën kryeministrin e Sllovakisë Robert Fico për hapjen e një "fronti të dytë energjetik" kundër Ukrainës me urdhër të Rusisë, duke sinjalizuar thellimin e një mosmarrëveshjeje për tranzitin e gazit midis dy vendeve.

Ukraina lejon kalimin e gazit natyror rus përmes territorit të saj për në disa vende evropiane, përfshirë Sllovakinë, por pritet ta ndalë rrjedhën kur marrëveshja ekzistuese e tranzitit - e nënshkruar para fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës – të skadojë në fund të vitit.

Kryeministri Fico, i cili vizitoi Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në fillim të kësaj jave, tha të premten se Sllovakia do të konsideronte masa reciproke kundër Ukrainës, si ndalimi i furnizimeve rezervë me energji elektrike nëse Kievi ndalon tranzitin e gazit nga 1 janari.

“Duket se Putini i dha Ficos urdhrin për të hapur një front të dytë të energjisë kundër Ukrainës në kurriz të interesave të popullit sllovak”, shkruan zoti Zelenskiy në platformën e mediave sociale X.

Sllovakia do që furnizimet me gaz rus nëpërmjet Ukrainës të vazhdojnë, duke thënë se rrugët alternative do të rrisin kostot dhe do të dëmtojnë operacionet e saj të tranzitit, duke bërë që ajo të humbasë 500 milionë euro në tarifa.

Ukraina ka thënë se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje të re për tranzitin e gazit me Moskën për shkak të luftës së nisur nga Rusia në shkurt 2022.

Ukraina është detyruar të importojë energji elektrike nga disa nga fqinjët e saj që kur Rusia filloi të vinte në shënjestër rrjetin e saj të energjisë në fund të vitit 2022, duke dëmtuar ose shkatërruar pjesën më të madhe të kapacitetit të prodhimit jo-bërthamor të vendit.

Zoti Zelenskiy tha se energjia elektrike nga Sllovakia aktualisht përbën 19% të importeve të kësaj energjie për Ukrainën dhe se Ukraina po punon me fqinjët e saj të Bashkimit Evropian për të rritur furnizimin.

"Sllovakia është pjesë e tregut të unifikuar evropian të energjisë dhe Fico duhet të respektojë rregullat e përbashkëta evropiane," u shpreh ai, duke shtuar se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për Ukrainën do ta privonte Sllovakinë nga 200 milionë dollarë në vit.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha në një deklaratë se zoti Fico po reshtohej në anën e Putinit me "kërcënime të pakuptimta" për të ndërprerë importet e energjisë për Ukrainën.

Që nga marrja e detyrës në vitin 2023, Kryeministri Fico ka qenë një nga kundërshtarët më të hapur të BE-së për ndihmën ushtarake për Ukrainën. Pas bisedimeve të tij në Moskë, zoti Fico tha se Presidenti rus Putin kishte konfirmuar gatishmërinë e Rusisë për të vazhduar furnizimin me gaz të Sllovakisë, megjithëse kjo do të bëhej "praktikisht e pamundur" pasi të skadojë marrëveshja e tranzitit./VOA



Lexoni të gjitha në Bota Sot