Ja sa milion euro i paguan Kosova  për pensionistët jashtë shtetit

- Gazeta e Prizrenit

Ja sa milion euro i paguan Kosova  për pensionistët jashtë shtetit
Izet Dushi, 80 vjeç, jeton në Suedi, por merr pension kontributpagues nga buxheti i shtetit të Kosovës.

Edhe Arifja, 75-vjeçare, që jeton prej 21 vjetësh në Gjermani, gjithashtu përfiton pension të moshës nga Kosova.

Përfaqësueses të shoqërisë civile konsiderojnë se kjo praktikë duhet ndërpritet sepse është e paligjshme dhe dëmton buxhetin e shtetit me mbi 51 milionë euro në vit.

Ndërkaq, ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, thotë se të gjithë qytetarët e Kosovës mbi moshën 65-vjeçare, pavarësisht se ku jetojnë, në bazë të ligjit mund të marrin pension nëse përmbushin kriteret ligjore.

Çka thotë Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti?

Të dy skemat e pensioneve, si ai i moshës dhe ai kontributpagues, në bazë të këtij ligji të miratuar në vitin 2014, kanë të njëjtin kusht moshe, që është 65 vjet, si dhe kërkohet të jenë banorë rezidentë në Kosovë dhe të kenë dokumente identifikimi të lëshuara nga organi përgjegjës i Kosovës.

Rezident, sipas ligjit, nënkupton praninë fizike të pensionistëve mbi 183 ditë në çdo periudhë kohore brenda 12 muajve të vitit.

Për pensionistët kontributpagues, ndërkaq, kërkohet të paraqesin dëshmi për 15 vjet stazh pune para vitit 1999 dhe që mos të jenë shfrytëzues të ndonjë skeme tjetër pensionale që paguhet nga buxheti i shtetit.

Kurse, në ndryshimet dhe plotësimet e këtij ligji, që janë bërë në vitin 2023, është shtuar edhe paragrafi që “pagesa e pensioneve ndërpritet nëse pensionisti nuk është rezident në Kosovë”.

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë, të publikuara më 19 dhjetor nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në Kosovë jetojnë 173.875 qytetarë mbi moshën 65-vjeçare.

Por, 202.500 është numri i personave, po sipas kësaj agjencie, që kanë marrë pensione në muajin nëntor të këtij viti nga buxheti i shtetit. Pensionistë të moshës, që marrin 120 euro në muaj janë 154.167 dhe 48.333 persona janë pensionistë kontributpagues që marrin nga 218 deri në 318 euro, varësisht nga niveli i arsimimit.

Nga krahasimi i të dhënave të regjistrimit të popullsisë dhe atyre të ASK-së, rezulton se 28.625 përfitues janë më shumë sesa ka banorë rezidentë të kësaj moshe, thotë për Radion Evropa e Lirë Selatin Kllokoqi nga organizata joqeveritare Demokracia Plus.

“Nëse llogarisim një mesatare prej 150 eurosh në muaj, marrë parasysh vlerën e pensionit bazë dhe vlerën e pensionit kontributdhënës, del se këta persona në mënyrë të paligjshme përfitojnë në muaj mbi 4.2 milionë euro apo për një vit mbi 51 milionë euro”, thotë Kllokoqi, duke shtuar se ligji parasheh qartë që përfituesit e ndonjërit nga këto pensione duhet të jetë banorë rezidentë apo të qëndrojnë gjashtë muaj brenda viti në Kosovë.

Pra, këta nuk janë banorë rezidentë, por jetojnë jashtë Kosovës sikurse në Serbi, Gjermani, Zvicër, Suedi e shtete tjera të Evropës dhe botës.

“Kështu që këta po shkelin ligjin sepse i njëjti qytetar nuk mund të jetë banor i përhershëm, rezident, në dy shtete”, thekson Kllokoqi.

Por, disa përfitues, sikurse Izet Dushi, mbrojnë të drejtën e tyre.

Dushi është rreth 80 vjeç, nga qyteti i Vushtrrisë, por që 32 vjet jeton në Suedi.

Dushi thekson se me më shumë se 20 vjet punë në arsim në komunën e Vushtrrisë, ai përfiton një pension prej 220 eurosh në muaj, që siç thotë, i takon me ligj.

Gjithashtu, ai e konsideron të papërshtatshëm dhe të lodhshëm detyrimin për t’u paraqitur çdo gjashtë muaj për verifikim.

“Paratë që po marr po i shpenzoj për bileta udhëtimi drejt Kosovës çdo gjashtë muaj, për t’u paraqitur në zyre të pensionimit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Për të përfunduar verifikimin, në muajin shkurt të vitit tjetër nga Gjermania do të vijë edhe 74-vjeçarja Arifja nga Prishtina.

Në shtetin gjerman thotë se nuk ka punuar asnjëherë.

Ajo nga buxheti i shtetit të Kosovës përfiton 120 euro në muaj si pension të moshës dhe që rreth nëntë vjet, çdo muaj shkurt dhe gusht paraqitet para institucioneve përgjegjëse për verifikim.

“Nganjëherë më vjen keq që marr këto para sepse vlera është e vogël dhe më vjen keq për pensionistët në Kosovë. Atje unë marr ndihmë sociale, vlera e të cilës është disa herë më e madhe. Por, besoni se as një muaj nuk i kam shpenzuar vet, ia kam lënë djalit sepse ai nuk e ka pagën e madhe dhe i shfrytëzon për kurse të fëmijëve”, thotë ajo.

Përfituesit e pensioneve janë të obliguar që çdo gjashtë muaj të lajmërohen në zyrat më të afërta të Departamentit të Pensioneve, që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).

Kjo ministri nuk iu përgjigj interesimit të REL-it lidhur me pyetjen se sa është i numri i përfituesve të këtyre skemave pensionale të cilët jetojnë jashtë shtetit.


Por, shkurt thanë se “secili pensionist, e ka kusht që të jetë rezident në Kosovë, për se paku 183 ditë [gjashtë muaj] brenda vitit dhe të lajmërohet çdo gjashtë muaj për verifikim”.

Si mund të bëhet identifikimi i atyre që nuk janë rezidentë?

Kjo çështje është riaktualizuar pas publikimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë, duke nxjerrë në pah nevojën për mbikëqyrje më të rreptë dhe zbatim të drejtë të ligjit.

Kllokoqi thotë se zbatimi në mënyrë më të përpiktë të ligjit, si kontrollimet në terren, mundësojnë identifikimin e personave që nuk janë banorë të përhershëm të Kosovës dhe përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga skemat pensionale.

“Marrëveshjet e bashkëpunimit mes MFPT-së, Policisë kufitare dhe me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës do të ndihmonin në identifikimin e personave që vijnë në Kosovë vetëm për t’u lajmëruar një herë në gjashtë muaj”, thekson ai.

Me këtë pajtohet edhe Skënder Asllani, ish-drejtor në Departamentin e Pensioneve në Ministrinë e Financave, edhe pse e konsideron proces të vështirë dhe të mundimshëm.

“Ky është problem sepse kemi Maqedoninë [e Veriut], Shqipërinë ku kalohet me letërnjoftime. Nganjëherë evidentohen, e nganjëherë nuk evidentohen. E dyta, kemi komunitetin serb, ata kanë dokumente që jetojnë në Kosovë, kanë prona, kanë adresa, por jetojnë në Serbi dhe ata vijnë lajmërohen çdo gjashtë muaj. Nuk është lehtë t’i dalësh ballë kësaj pune”, thotë ai.

Asllani kujton se disa herë kanë menduar të gjejnë zgjidhje për këtë çështje, por ka qenë e pamundur të materializohet.

“Është e pamundur të gjendet shpejtë një zgjidhje sepse udhëzimi administrativ i lejon që ata të vijnë edhe të lajmërohen dy herë në vit”, thekson ai.

Mundësia tjetër, sipas Kllokoqit, është organizimi i një fushate vetëdijesimi për t’i informuar personat që veprojnë në mënyrë të kundërligjshme.

“Ndalimi i mjeteve për personat që jetojnë jashtë Kosovës do të krijonte kushte për rritjen e pensioneve për ata që jetojnë në Kosovë”, deklaron ai.

Por, mendim tjetër ka ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

Ai shprehet se pensionistët nuk duhet fajësohen për shkelje të ligjit, pasi këtë mundësi e kanë krijuar vetë institucionet e Kosovës.

“Ata i përmbushin kriteret ligjore: vijnë lajmërohen dy herë në vit”, thotë ai.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit